Rëndësia e vizitës së kryeparlamentarit bullgar, Rossen Jeliazkov në Shqipëri

Nga Jonida Halili:

Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Rossen Jeliazkov, vizitoi Shqipërinë për herë të parë të hënën në një vizitë zyrtare. Ishte kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla që e priti në Kryesinë e Kuvendit.

Vizita e Jeliazkov ka një rëndësi të veçantë, pasi fokusi kryesor ishte për të shprehur mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Patëm një dialog intensiv dhe interesant. Nënvizuam marrëdhëniet tona, edhe në kontekstin e procesit të integrimit në BE. Edhe në kontekstin e sfidave. Mes dy vendeve tona, nuk ka çështje të hapura, dialogu politik në nivel më të lartë është konfirmuar edhe sot, edhe me ftesën që Nikolla pranoi të zhvillojë në Sofje. Konkluzionet e Komisionit Evropian sa i përket indikatorëve të përparimit të Shqipërisë, përkrahen nga ana jonë. Shqipëria ka përkrahjen e palëkundur të Bullgarisë. Shqipëria përmbush të gjitha detyrimet e politikës së jashtme, ka një pozicion të palëkundur sa i përket luftës së Ukrainë, përmbush të gjitha detyrat të lidhura me nismat rajonale”,-theksoi ai.

Në një konferencë për mediat pas takimit, Jeliazkov po ashtu nënvizoi mundësinë e një linje të rregullt ajrore mes Tiranës dhe Sofjes, ndërsa pakicat kombëtare i cilësuan të dy krerët si një aset të çmuar për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Folëm edhe për këtë, në kuadër të një viti do të kemi një linjë të rregullt ajrore, diçka mbi të cilën ne punojmë fort. Kjo do të japë një potencial tjetër për zhvillimin e turizmit. Morëm konfirmim për garantimin e të drejtave të minoritetit bullgar në Shqipëri.”- u shpreh Rossen Jeliazkov, kryetar i Parlamentit të Bullgarisë.

“Vendet tona i konsiderojnë pakicat kombëtare si urë për miqësinë e gjatë dhe të qëndrueshme si edhe një aset për vlerat dhe shoqëritë tona.”- tha Nikolla.
Kryetari i parlamentit Bullgar dhe delegacioni që e shoqëron u pritën edhe nga Presidenti e vendit, Bajram Begaj.

Marrëdhëniet politike mes dy vendeve, procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, intensifikimi i raporteve ekonomike, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe ngritja e infrastrukturës në ndihmë të këtij procesi, ishin po ashtu në fokus të këtij takimi.
Presidenti Begaj falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE, për nismat e përbashkëta multilaterale, për kontributin me trupa ushtarake në KFOR, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike në nivelin e atyre politike.
Presidenti Begaj dhe kryeparlamentari Zhelyazkov e trajtuan çështjen e fundit duke u ndalur në mundësitë zhvillimore që do të sjellë në këtë pikë infrastruktura tokësore dhe ajrore. “Përshpejtimi i ndërtimit të korridorit të tetë, si edhe nisja e fluturimeve në fund të këtij viti të linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje, do të risin, pa dyshim, shkëmbimet tregtare dhe turizmin në të dyja vendet”, – vlerësoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Ne, – u shpreh Presidenti Begaj, – e konsiderojmë të një rëndësie strategjike Korridorin 8 dhe po punojmë shumë fort që të përmbyllet sa më shpejt. Rruga është zhvillim, dhe ky korridor do të sjellë zhvillimin për të gjithë rajonin tonë”.

Presidenti Begaj theksoi se situata aktuale në rajon kërkon mirëkuptim, bashkëpunim dhe tejkalim të politikave të së shkuarës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e plotë Eruro-Atlantik të tij.

Presidenti solli në vëmendje se “shqiptarët janë një popull që kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe e dinë që çmimi i lirisë është i pamatë, ndaj shqiptarët në rajon kanë qenë dhe janë paqedashës dhe faktor stabiliteti.”

Në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve përkatëse, Kreu i Shtetit siguroi se të drejtat e minoritetit bullgar në Shqipëri janë të garantuara dhe se në censusin e kryer është siguruar vullneti i lirë i vetëdeklarimit nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent.

SHKARKO APP