Rikthehet Luigi Soreca, ambasador i komanduar i BE-së në Tiranë

Luigi Soreca do të rikthehet sërish në Shqipëri si ambasador i Bashkimit Europian, por këtë herë si i komanduar deri në ardhjen e ambasadorit të ri. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Europian për ”A2cnn”.

Në përgjigjën e dhënë, thuhet se Soreca do të marrë detyrën në datën 1 shtator dhe do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë deri në ardhjen e Shefit të ri të Delegacionit.

“Nga data 1 shtator, ambasadori Luigi Soreca do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë deri në ardhjen e Shefit të ri të Delegacionit. Përvoja dhe njohuritë e tij për vendin dhe rajonin do ta lejojnë atë të përfaqësojë Bashkimin Evropian në ngjarjet e ardhshme në kontekstin e procesit të zgjerimit Dëshirojmë të falënderojmë ambasadoren Christine Hohmann për punën dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm në çuarjen përpara të procesit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë”, thuhet në përgjigjen për A2 CNN.

Diplomati rimerr këtë post pas largimit të Hohmann, e cila doli nga shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian, për t’u rikthyer si pjesë e diplomacisë së Berlinit zyrtar në Irak.

SHKARKO APP