Rrëfimi i Gjimshitit: U mërzita shumë kur ngela jashtë “Euro 2016”, por s’e mendova kurrë të lë Kombëtaren!

Kapiteni i Kombëtares sonë, Berat Gjimshiti ka dhënë së fundmi një intervistë shumë interesante për emisionin “Koha Shtesë” në Youtube për gazetarin Klaudio Ndreca. Mbrojtësi i Atalantas ka folur për gjithçka sa i përket Shqipërisë, kohës kur ngeli jashtë në Euro 2016, por dhe për Europianin e ardhshëm.

“Në fillim kur mësova se ngela jashtë Europianit të Francës isha nervoz. Nuk kam folur kurrë për këtë gjë, vetëm me familjarët dhe gruan. Në ato momente kam qenë nervoz, por prapë ai moment më ka dhënë mentalitetin që unë kam sot, më ka shtuar vetëbesimin. Unë jam një njeri që “ka inat”, çdo lojtar duhet të ketë “pak inat” në vete që të shtyj përpara.

Dhe mua pikërisht ai moment më shtyu shumë i thashë vetes: ’Duhet t’i tregosh me patjetër sesa vlen Gjimshiti’. Unë jam një tip që nuk dua të flas shumë, kjo intervistë me ju sot në kamera është e para që unë bëj, nuk e kam bërë kurrë më parë sepse dua atë privatësinë time dhe nuk dua të flas shumë në media.

E them me sinqeritet që edhe në momentin e nervozizmit kur mora vesh se nuk do të isha në Europian, nuk më shkoi kurrë ndërmend që të lija Shqipërinë. Sigurisht që ishte një moment pak i vështirë, por një javë më pas kur shokët e mi ikën në Francë për Europian, unë mora avionin dhe ika në Zvicër.

E mbasi ika në Zvicër, mora prapë aeroplanin me dy shokë dhe erdha në Tiranë, bëra pushimet në Tiranë. Për një javë ndoshta më ngeli pak në fyt e gjitha ajo që ndodhi, por pas një jave e harrova fare dhe e mbështeta Shqipërinë si tifoz”, tha Gjimshiti.

De Biazi, Silvinjo dhe çudia e Atalantës për Shqipërinë! Gjimshiti: Nuk e lija kurrë Shqipërinë time

SHKARKO APP