Samiti për Ukrainën në Tiranë, Zelensky vjen sot për herë të parë në Shqipëri
![](https://kohajone.com/wp-content/uploads/2023/12/rama-zele-1.jpg)
Tirana do të mirëpresë për herë të parë një Samit në datë 28 dhe 29 shkurt, dedikuar tërësisht Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë, dhe pritet që të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e sotme.
Zelensky do të marrë pjesë në Samit, ku do të jenë të pranishëm edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.
Presidenti i Ukrainës pritet të ketë disa takime me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla, megjithëse detajet e vizitës, nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht për shkak të nivelit të lartë të sigurisë mbi të cilin do të zhvillohet kjo vizitë.
Pjesë e këtij samiti, përmes një video mesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt.
Punimet priten të zhvillohet në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.
Më datë 29 shkurt, do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit.
Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.