Shoferi i famshëm në Kroaci tregon se si duhet vepruar kur ndihesh i përgjumur në timon (VIDEO)

Aksidenti tragjik në Kroaci ku humbën jetën 10 qytetarë kosovarë dhe mbetën të plagosur 40 të tjerë, ka bërë që shoferi i famshëm kroat, Juraj Sebajl, të japë disa leksione dhe t’u tregojë shoferëve se si të shpëtojnë jetën e tyre dhe të së tjerëve, kur ndihen të lodhur në timon. Ai u ka bërë apel të gjithë shoferëve që në momentet kur ndihen të lodhur të hapin krahun dhe të marrin kohën e mjaftueshme për të pushuar.

“Kur bëhet fjalë për lodhjen, s’ka heronj, nuk ka trima dhe askush nuk është super njeri. Njerëzit më së shpeshti gabojnë kur mendojnë se do të humbasin disa orë. Sakrifikoni 20 minuta dhe pushoni kudo që të shkoni”, ka shkruar Sebajl krah një video të publikuar në “Facebook” ku zbulon “hilen” se si të freskoheni gjatë vozitjes.

Sipas tij, 15-20 minuta gjumë janë të mjaftueshëm, teksa u bën thirrje shoferëve që mos të flenë më gjatë pasi mund të futen në një fazë gjumi të thellë. Ai gjithashtu shton se ata duhet dalin dhe të shëtisin në mënyrë që truri i tyre të marrë kohën e mjaftueshme, për t’u qetësuar dhe për t’u ndjerë gati dhe për t’u nisur përsëri për rrugë.

SHKARKO APP