Si do jetë protesta e 11 korrikut?

Nga Daniel Muçaku-

Si do jetë protesta e 11 korrikut?

Berisha, PD, opozita dhe kush është kundër kryeministrit Rama kanë lajmëruar se me 11 korrik në orën tetë të darkës do të zaptojnë Bulevardin kryesor të Tiranës.

Në të vertetë jemi mësuar shumëherë me thirrje te lidershipit demokrat duke thënë se “kjo protestw do të shënojë fundin e Edi Ramës”, por nuk ka ndodhur asnjëherë kështu siç karikohen turmat demokrate.

Disa herë ka patur shumë protestues në Bulevard, por kurrëherë drejtuesit e opozitës nuk kanë bërë thirrje për qëndrim ditë natë në shesh, sikurse shumëherë vetë drejtuesit e PD janë interesuar me shumë se policia që protesta të ishte e qetë dhe pa përplasje me policinë.

I solli Lulzim Basha para disa vitesh, dhe turma ishte e stërmadhe, realisht. Por vetë Basha u kujdes pas telefonatës nga ambasada amerikane që të mos rrinin para zyrës së kryeministrit, por ti lodhte duke i rrotulluar nëpër Tiranës, derisa protestuesit mezi qëndronin në këmbë e jo më të rrëzonin Edi Ramën.

Ishte Ilir Meta me 2 mars 2020 që mblodhi afro 100 mijë njerëz në bulevard, por nuk pati vizionin dhe vendosmerinë se atë natë ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen si President dhe ti printe popullit opozitar.

Por as Ilir Meta nuk e la popullin e revoltuar të bënte atë që bëjnë në Francë, Itali, apo kudo nëpër Europë kur e dijnë se qeveria është kundër interesave të tyre.

Me pas populli i 2 marsit u shpërnda dhe nuk u pa më në bulevard.

E kërkoi Berisha popullin në bulevard, por u mblodhën dhe ikën në shtëpi pa bërë asgjë.

Njerëzit erdhën, dëgjuan Berishën që foli dhe ikën në shtëpi me furgona sic kishin ardhur nga rrethet, duke harxhuar edhe ato pak lekë që u kishin mbetur.

U bë një thirrje para ca javësh që populli të rrethonte parlamentin, por u mblodhën diku te 350 veta nga e gjithë Shqipëria!

Ndaj kjo protestw e 11 korrikut, që po bëjnë thirrje ditë-natë, nëse nuk mbledh njerwz ku të mbushet bulevardi nga sheshi Nënë Tereza e deri të monumenti i Gjergj Kastriot-Skendërbeut, nuk ka asnjë vlerë force numrash, pasi dihet se Edi Rama ka afro 800 mijë votues.

Ndaj me 11 korrik do të kuptohet se sa forcë reale dhe bindëse ka sot Berisha dhe PD-ja.

Me 11 korrik do të shikohet nëse historia po anon nga Berisha apo Rama mbetet i padiskutueshëm si drejtues me shumicë votash dërmuese.

Me 11 korrik do të shikohet se sa forcë ka turma, forcë shpirtwrore revolte, pasi nuk themi forcë fizike se nuk kemi ndeshje boksi në darkën e 11 korrikut.

Disa drejtues të PD janë shprehur se me 11 korrik popull do bëjë revolucion dhe do të përdorë forcën. Kjo gjë thuhet për të trembur ministrin Taulant Balla apo është vendim politik nga lidershipi i Partisë Demokratike?

Kjo është pyetja që e do përgjigjen cdo demokrat dhe protestues para 11 korrikut.

Në qoftëse PD e ka ndarë mendjen që me 11 korrik fillon përplasja fizike me qeverinë atëhere duhet thënë publikisht nga drejtuesit e PD-së, pasi le të vijnë garda demokrate dhe jo njerëz për të shprehur revoltën me zë dhe me qëndrim qytetar në bulevard.

Po u mbush bulevardi siç thamë nga Skenderbeu deri të sheshi Nënë Tereza, atëhere opozita e ka marrë veten dhe mund të jetë konkuruese për ti fituar zgjedhjet vitin e ardhshëm.

Ndryshe, me pak protestues, kot i lodhin  njerëzit mes vapës së madhe!

SHKARKO APP