Situata me vaksinat në prag të Europianit, disa Kombëtare i kanë refuzuar!

Rasti Busquets, i cili doli pozitiv me Covid-19, ka ngritur alarmin për fillimin e Kampionatit Evropian. Disa kombëtare kanë ndjekur strategji të ndryshme sa i përket pandemisë.

Anglia – Kombëtarja e Anglisë nuk u vaksinua. Në mars, trajneri i Southgate deklaroi se futbollistët duhet të vaksinoheshin, por jo sepse ishin një kategori e privilegjuar. Më 17 maj, “Times” raportoi se lojtarët kanë refuzuar të marrin vaksinën sepse nuk duan të kapërcejnë radhën e personave që lejohen. Ata nuk duan të anashkalojnë kategori më të ekspozuara ndaj virusit siç janë mësuesit dhe forcat e policisë.

Belgjika – Ekipi kombëtar belg, me vendim të qeverisë, vaksinoi të gjithë lojtarët dhe stafin (me Johnson & Johnson, në mënyrë që të merrnin të gjithë një dozë të vetme), midis 31 majit dhe 2 qershorit. “Ne jemi mirënjohës ndaj shtetit dhe ministrit të shëndetësisë, vaksina është e rëndësishme për ne. Shpresojmë që të jemi në gjendje të bëjmë një paraqitje të mirë në Kampionatin Evropian edhe falë kësaj ndihme “, shkruhet në reagimin e federatës belge.

Zvicra – Komiteti Olimpik vendosi në javën e fundit që atletët kombëtarë mund të marrin vaksinën. Kjo sepse vaksina është falas në kantone të ndryshme. Trajneri Petkoviç mori të dyja dozat. Futbollistët ndërkohë kanë qenë të lirë që të marrin një ose dy doza.

Polonia, Holanda dhe Austria – Ekipi kombëtar polak vaksinoi të gjithë, ndërkohë që te Holanda disa lojtarë refuzuan marrjen e vaksinës. Mjeku i ekipit kombëtar austriak, Michael Fiedler, nga ana tjetër, këshilloi lojtarët e tij të mos vaksinohen në prag të Kampionatit Evropian në mënyrë që të mos humbasin disa seanca stërvitore t për shkak të efekteve anësore. Sidoqoftë, disa lojtarë austriakë ishin vaksinuar para se të niseshin, në marrëveshje me klubet e tyre përkatëse.

Franca – Vaksina nuk është e detyrueshme për lojtarët e Francës. Didier Deschamps nuk ua ka imponuar futbollistëve, por ua ka rekomanduar. Shumica e stafit tashmë janë vaksinuar dhe gjithashtu disa lojtarë, duke filluar nga Mbappé. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP