Bie “vlera” e legjendave Messi-Ronaldo, Vinicius e Haaland janë tashmë më të shtrenjtët e futbollit

Si në çdo gjë në jetë, çdo fillim e ka një fund. Nuk i shpëtojnë këtij “ligji të pashkruar” as yjet e futbollit.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo dominuan skenat e këtij sporti për më shumë se dy dekada, por tani duhet t’i hapin rrugën një gjenerate të re, që gjithsesi do ta ketë shumë të vështirë të arrijë sukseset e tyre.

Si “Pleshti” ashtu edhe “CR7” pranuan të bëjnë kompromis me këtë, duke u larguar nga futbolli i rëndësishëm, siç është ai evropian, me argjentinasin që zgjodhi Amerikën, ndërsa “luzitani”, Arabinë Saudite, por kurba në zbritje e karrierës së tyre konfirmohet edhe nga “Transfermarkt”.

Sipas specialistëve, Lionel Messi ka kapur pikën më të ulët sa i përket vlerës së tij në merkato që nga viti 2006.

Tani që luan tek Inter Miami, kartoni i kampionit të botës vlerësohet 25 milion euro.

Akoma më “pikiatë” është zbritja e rivalit të tij të përjetshëm. Pavarësisht se kontrata me Al-Nassr është një nga më të pasurat në botë, kartoni i Cristiano Ronaldo në merkato vlerësohet vetëm 15 milion euro.

Tashmë vendin e tyre në listën e futbollistëve më të vlerësuar e kanë marrë yjet e rinj.

Sipas “Transfermarkt” lista kryesohet nga Vincius Junior i Real Madrid dhe Erling Haaland i Manchester City, të cilët vlerësohen në 200 milionë euro, ndërsa pas tyre vijnë Jude Bellingham e Kylian Mbappe të vlerësuar në 180 milionë euro dhe për të plotësuar “top 5” mendon spanjolli Lamine Yamal i vlerësuar në 150 milionë euro.

SHKARKO APP