Daja: Shkojmë për t’u përballur frontalisht me Egnatian

Dinamo City përballet sot me Egnatian në stadiumin e Rrogozhinës, në orën 14:00, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Superiores. Trajneri Ilir Daja, në konferencën për shtyp para kësaj sfide, mes të tjerash ka theksuar:

“Kemi pasur stabilitet në rezultate 7 javët e fundit. Egnatia është kampione e dyfishtë e sezonit të kaluar dhe një pjesë e të mirë të ekipit e ka edhe këtë vit. Mendoj se është favorite për ‘Final 4’, ka cilësi dhe lojë të konsoliduar. Ka meritë trajneri Tetova dhe stafi i tij.

Duhet të kemi ritëm të lartë, pasi rrogozhinasit posedojnë lojtarë që iu përshtaten kundërsulmeve të shpejta. Shkojmë të përballemi frontalisht me Egnatian, duke kërkuar maksimumin, edhe pse është shumë e vështirë.

Statistikat? Japin një orientim, por gjërat ndryshojnë. Futbolli është bërë shumë dinamik tashmë. Çdo lojtar i mirë që del dhe bën diferencën, ikën në një kampionat më të fortë. Statistikat janë bërë për t’u ndryshuar, kështu që me gjithë respektin që kemi, nuk shkojmë të dorëzuar në Rrogozhinë. Do luftojmë të ruajmë ecurinë pozitive.

Derbi ishte pozitiv, sepse ishte hera e parë që nuk pësonim gol. Në atë ndeshje kishim edhe mungesa, por ata që luajtën bënë mjaft mirë. Në pjesën e parë të derbit ishim të konsoliduar në të dyja fazat e lojës dhe kjo është shumë pozitive. I mëshova faktit, sepse ishte pjesa më e mirë që kemi bërë.

Nuk na duhet vetëm ngritja e nivelit fizik. Duhet të administrojmë më shumë topin, që potencialin fizik ta menaxhojmë në një shtrirje më të madhe se 60 minuta lojë. Fusha e mirë e Rrogozhinës është pozitive për të dyja ekipet, terreni i mirë favorizon lojën e bukur dhe spektaklin. Duhet ta shfrytëzojmë, sepse kemi lojtarë teknikë. Mbi të gjitha duhet të kemi ritëm që ta përballojmë Egnatian”.

Edhe në këtë ndeshje, trajneri Ilir Daja do të ketë mungesa, siç janë dy mbrojtësit Rustem Hoxha dhe Mateo Muzek.

SHKARKO APP