Kombëtarja me 12 lojtarë në fushë në ndeshjet e nëntorit, ja sa bileta janë shitur për sfidat me Çekinë dhe Ukrainën

Fitorja 0-1 e Kombëtares shqiptare ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Mikhail Mheksi” në Tbilisi mbrëmjen e së hënës ngrohu dhe emocionoi të gjithë tifozët shqiptarë, të cilët tashmë po nxitojnë që të blejnë biletat e tyre për dy ndeshjet e nëntorit kundër Çekisë dhe Ukrainës.

Këto dy sfida do të luhen në stadiumin “Air Albania”. Më 16 nëntor, kuqezinjtë duan hakmarrjen ndaj çekëve ndërsa më 19 nëntor do të kërkojnë triumfin e dytë ndaj Ukrainës në këtë edicion të Nations League. Mbështetja e tifozëve shqiptarë nuk ka munguar kurrë dhe deri më tani mësohet se vetëm për ndeshjen me Çekinë janë shitur mbi 17 mijë bileta. Më shumë se gjysma e stadiumit, teksa pas fitores së djeshme, numri i biletave të shitura është rritur në mënyrë të frikshme.

Edhe për ndeshjen me Ukrainën, tifozët duket se duan të jenë në stadium dhe sipas burimeve të sigurta, është shitur më shumë se gjysma e stadiumit. Mbi 13 mijë bileta të shitura për këtë sfidë.

Një gjë është e sigurt: me një stadium sold out në të dyja ndeshjet, Shqipëria do të jetë pa dyshim me 1 lojtar më shumë në fushë se Çekia e Ukraina. Tifozëve u mbetet vetëm t’u japin zemër kuqezinjve, ndërsa këta të fundit të fitojnë dy ndeshjet për të gjithë shqiptarët.

SHKARKO APP