“Paqe” mes Elbasanit dhe Partizanit, por në fund ka polemika

Elbasani dhe Partizani nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në superduelin e javës së 9-të në Superiore. Një rezultat që i shkon më shumë përshtat Partizanit që mbetet në krye të renditjes me 16 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e katërt me 15 pikë.

Të kuqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Agim Zekës në minutën e 22-të. Megjithatë vendasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat me Ze Gomes në minutën e 36-të. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, i cili nuk ndryshoi as në pjesën e dytë. Fundi i takimit ishte tepër i tensionuar dhe me protesta të shumta të vendasve.

Gjyqtari fillimisht anuloi një gol Lleshit në minutën e 90-të, për faull gjatë aksionit. Në minutën e 93-të, tek Elbasani pretenduan për penallti, pas një kontakti të Gjonit me Bytyçin. Disa tifozë tentuan që të hynin në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerjen e duelit për pak sekonda.

Në javën e 10-të, Elbasani pret Skënderbeun, ndërsa Partizani sfidon Vllazninë në transfertë.

SHKARKO APP