Pezullohet procedura për shitjen e klubit të Vllaznisë, ja arsyeja!

Ankandi për shitjen e aksioneve të Vllaznisë po kthehet në telenovelë. Komisioni i Prokurimit Publik ka urdhëruar Bashkinë Shkodër të pezullojë çdo procedure dhe të mos kryejë asnjë veprim deri në shqyrtimin e ankesës së bërë dhe marrjen e vendimit përfundimtar.

Ky zhvillim i ri ka ndodhur pas ankesës së bërë nga subjekti “Almiro Gurakuqi & Carpathia Albania shpk”, e konsideruar konform ligjit nga ky komision. Në këto rrethana, është vendosur që të shqyrtohet ankesa e paraqitur nga ky subjekt, duke mos lejuar asnjë veprim tjetër nga autoriteti shitës.

Bashkia Shkodër detyrohet të dërgojë të gjithë informacionin për procedurën e ndjekur për ankandin dhe të japë argumentet për pretendimet e subjektit që është ankuar dhe detaje të tjera të këtij procesi.

Autoritetit shitës i duhet t’i dorëzojë këto dokumente brenda një periudhe 5-ditore dhe më pas do të jetë Komisioni i Prokurimit Publik që do të japë vendimin e tij për vazhdimin e ankandit të Vllaznisë, apo rikthimin e tij nga e para. Kjo do të thotë se edhe për disa kohë kjo çështje nuk do të marrë zgjidhje dhe Vllaznia do të vazhdoje të jetë pa president.

SHKARKO APP