Rrëfimi befasues i ish-arbitrit të FIFA-s: Nuk e ndëshkova Messi me karton sepse më premtoi fanellën pas ndeshjes

Ish-arbitri i FIFA-s, Carlo Candia, ka pranuar se nuk e ndëshkoi me karton të verdhë Lionel Messin gjatë gjysmëfinales së Copa America 2007, në këmbim të fanellës së tij.

Argjentina më pas mposhti Meksikën 3:0 dhe u kualifikua në finalen e madhe, të cilën ylli argjentinas do ta kishte humbur nëse arbitri do të kishte zbatuar rregullat. Nëse do të kishte marrë një karton, të cilin e meritonte në atë ndeshje, nuk do të luante kundër Brazilit.

“Messi preku topin me dorë në qendër të fushës, nuk kishte rrezik për gol apo diçka të tillë, ndaj i thashë se ky është një karton i verdhë që nuk do ta jap, por në këmbim duhet të më jepte fanellën. Kishin mbetur edhe dy minuta e gjysmë, rezultati ishte 3:0. Po ta kisha ndëshkuar me kartn, nuk do të luante në finale”, tha Candia.

Arbitri zbuloi se argjentinasi kishte respektuar marrëveshjen: “Messi erdhi tek unë pas ndeshjes dhe më dha fanellën. Ai donte ta bënte në fushë, por unë i thashë të mos e bënte, por ta sillte në dhomën e zhveshjes. Më pas erdhi me fanellën dhe më dha një dhuratë që nuk do ta harroj kurrë.”

Gjithsesi ai nuk i ndhmoi argjentinasit për të marrë trofeun. Brazili fitoi 3:0 në finale dhe Messi u shpall lojtari i ri më i mirë i kampionatit. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP