Tetori rozë/ FSHF organizon mini-turne futbolli me stafin, UN Women & gazetaret vajza. Basha: T’i japim zë fushatës kundër kancerit të gjirit

Në kuadër të muajit sensibilizues kundër kancerit të gjirit, Federata e Futbollit organizoi sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” një turne të veçantë me pjesëmarrjen e vajzave të UN Women, gazetareve të sportit dhe jo vetëm, si dhe vajzat e stafit të administratës së FSHF-së.

Në këtë aktivitet vajzat të ndara në tre ekipe luajtën futboll dhe përçuan të gjitha së bashku mesazhin e ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit.

Anëtarja e KE-së, Anila Basha, përshëndeti eventin dhe vlerësoi nismën e ndërrmarrë nga FSHF për fushatën ndërgjegjësuese gjatë muajit tetor.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar për herë të parë këtë mini-turne, ku 3 ekipe do të përballen me njëra-tjetrën. Ju të gjitha kontribuoni në punë tuaj të përditshme, por #fightlikeaneagle, të gjitha së bashku t’i japim një zë fushatës ndërgjegjësuese në luftën kundër kancerit të gjirit.

Do të vazhdojmë me një prej evenimenteve më të rëndësishme që kemi, në datën 25 tetor, kur Kombëtarja e Vajzave, fanellën e të cilës ju po mbani, do të luajë një ndeshje play-off kundër Norvegjisë dhe kemi rënë dakord, bashkë me Federatën Norvegjeze, që vajzat tona dhe Kombëtarja Norvegjeze të luajnë me fjongon rozë dhe do të vazhdojmë këtë fushatë ndërgjegjësuese deri në datën 31. Por jo vetëm, zëri juaj do të përçohet më tej. Ju falenderoj thellësisht nga zemra që jeni këtu” – u shpreh znj. Basha.

Michele Ribotta, Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri mbajti një fjalë falënderuese, ku vlerësoi nismën e FSHF-së si një formë shumë e mirë për të nxitur ndërgjegjësimin publik në muajin e parandalimit të kancerit.

“Doja të falenderoja të gjithë, Federatën dhe të gjitha skuadrat. Jam shumë i lumtur që jemi duke ndërmarrë këtë nismë si pjesë e një bashkëpunimi tripalësh me anëtarët e Federatës dhe me anëtarët e medias. Mendoj se kjo është absolutisht një mënyrë e mrekullueshme për të shënjuar dhe për të nxitur ndërgjegjësimin publik në muajin e parandalimit të kancerit, duke siguruar që të gjitha gratë të kryejnë kontrollin.

Ne si Kombet e Bashkuara dhe si UN Women promovojnë shumë pjesëmarrjen e grave në sport. Jam shumë i lumtur që ju keni ndërmarrë këtë nisëm dhe që ne patëm mundësi t’iu bashkoheshim dhe mezi pres të brohorasim për një ndeshje të mrekullueshme” – tha në fjalën e tij Michele Ribotta.

Në fund të turneut, pjesëmarrëset morën një medalje të përgatitur nga Federata, si simbol i mesazhit të përcjellë së bashku.

 

SHKARKO APP