Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë nesër takimin e parë ndaj Norvegjisë, e vlefshme për raundin e parë të play-offit për Europianin “Zvicër 2025”. takimi do të luhet në ora 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishmë për Kombëtaren kuqezi, trajneri Armir Grima dhe kapitenia e ekipit, Megi Doçi dolën pasditen e sotme në një konferencë zyrtare për mediat në Shkodër.

Trajneri Grima theksoi në fjalën e tij se Norvegjia është një ekip i vështirë, por Shqipëria e tij do të japë maksimumin në fushë dhe do të bëjë një paraqitje të mirë. Pavarësisht mungesave në skuadër, tekniku kuqezi beson te skuadra e tij, ndërsa flet edhe për elementet e reja që i janë bashkuar ekipit në këtë grumbullim. Në fund, trajneri Grima ka edhe një thirrje për tifozët e Kombëtares.

A do të jetë e vështirë kjo ndeshje? – Është e vështirë. Norvegjia është një ekip i fortë për çdo skuadër të Europës, jo vetëm për ne si Shqipëri. Por ne do të bëjmë përpjekjet tona, do të japim maksimumin tonë dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë.

Mungesat në skuadër – Ka mungesa, por unë jam shumë besimplotë te grupi i vajzave që kam dhe besoj që edhe ato do e justifikojnë maksimalisht këtë besim.

Rndësia e ndeshjeve – Ndeshjet në këtë fazë që janë, janë të rëndësishme. Për ne është një nivel i lartë ku po luajmë dhe fillimi i mbarë, është pjesë e vazhdimit të punës.

Thirrje për tifozët – Tifozeria shkodrane nuk do të na zhgënjejë dhe jam i bindur që do të na ndjekin. Edhe në ndeshjet e tjera që kemi luajtur këtu, kemi pasur mbështetjen e tyre dhe janë suport i mirë për ne dhe një motivim i madh të luash para tyre në Shkodër.

Prurjet nga Vllaznia – Ekipi kampion është edhe baza e ekipit kombëtar. Gjithmonë Vllaznia ka qenë pjesa kryesore e Kombëtares dhe është peshë kryesore edhe te Kombëtarja edhe në kampionatin shqiptar.

Si duken elementet e reja në ekip – Po janë ambientuar me grupin dhe besoj se nesër do të shohim vajzat që kanë talent dhe që kanë perspektivë. Për mua është kënaqësi që i kam në grup. Dhe për futbollin e vajzave në Shqipëri është pozitive që këto vajza janë pjesë e jona.

Për fitore nesër? – Nuk di të ketë një trajner që futet në lojë për të humbur.

Si prisni të jetë ndeshja nesër? – Pres të jetë një ndeshje e luftuar, ku do t’i përgjigjemi me maksimumin tonë ekipit të Norvegjisë.

Ekipi norvegjez tha se pret që Shqipëria t’ia bëjë të vështirë nesër, si psh duke mos e ujitur fushën mjaftueshëm. Mendimi juaj? – Nuk e mendoj kështu. Mendoj se ekipi shqiptar do t’ia bëjë të vështirë punën duke luajtur futboll dhe jo duke u marrë me gjëra të tjera që nuk janë pjesë e futbollit. Detyra jonë është për të luajtur futboll, për të ndihmuar veten për të bërë më të mirën. Elementi i barit nuk është pjesë e jona, nuk e kemi bërë ndonjëherë me ndonjë ekip. Ne nuk i kemi arritur sukseset tona në këtë mënyrë, por i kemi arritur në fushë.

Kapitenia Megi Doçi vlerësoi ekipin e Norvegjisë, por theksoi se asgjë nuk është e pamundur në futboll. Kapitenia kuqezi ftoi të gjithë tifozët që ta mbështesin ekipin Kombëtar nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Si është atmosfera në skuadër? – Ndeshjen po e presim me emocion, duke pasur parasysh që jemi kualifikuar si të parët nga grupi. Për ne ishte një arritje sepse dita ditës po rritemi si ekip Kombëtar. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme. E dimë se çfarë ekipi kemi përballë. Kemi luajtur më parë me Norvegjinë dhe e dimë se ka shumë cilësi si ekip. Kemi besim dhe me sakrificë e dëshirë do të japim gjithçka në fushë. Të japim më të mirën.

A premton Megi Doçi gol nesër me Norvegjinë?- Realisht nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi ekipi që kemi përballë është shumë i fortë. Dëshira ime për të shënuar nuk do të mungojë asnjëherë, por dëshira ime më e madhe është që të jap më të mirën për ekipin duke qenë se unë udhëheq ekipin në fushën e lojës. Besoj që vajzat do të japin më të mirën në fushë, janë të motivuara maksimalisht. Vajzat e presin me emocion këtë ndeshje për të dhënë më të mirë në fushë, pasi ndaj këtyre ekipeve gjithsecila mund të tregojë veten.

Do të jetë e vështirë për të kaluar Norvegjinë? – Patjetër që po. Janë një ekip me cilësi. Ndërsa ne po rritemi dita ditës. Kemi besim në forcën tonë dhe prurjet e reja gjithashtu. Të mbështesim njëra – tjerën në fushën e lojës duke dhënë më të mirën. Të luajmë në grup dhe të bashkuara për një rezultat pozitiv.

Ndeshja luhet në stadiumin “Loro Boriçi”? – Kam 13 vite që luaj në stadiumin “Loro Boriçi”. Është një fushë që unë e njoh shumë mirë. Shkodra e ka mirëpritur gjithmonë mirë futbollin dhe dua t’i jap një mesazh të gjithë tifozëve. Të na mbështesin nesër nga shkallët e stadiumit dhe të jenë të pranishëm sepse realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Luajm ndaj një kundërshtari të vështirë, por asgjë nuk është e pamundur.