Tuchel është trajneri i ri i Anglisë: Privilegj i madh!

Thomas Tuchel u emërua zyrtarisht trajneri i ri i Anglisë. Drejtuesit e FA ia besuan ish-trajnerit të Chelsea dhe Bayern Munich, ndër të tjera, timonin e kombëtares, me synim lavdinë në Kupën e Botës 2026.

Federata Angleze e Futbollit (FA) konfirmoi të mërkurën se Tuchel është emëruar trajner i ri i kombëtares së “Tre Luanëve”. Gjermani ka nënshkruar kontratë 18-mujore, deri në fund të Botërorit 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Tuchel pason kësisoji Gareth Southgate dhe do ta fillojë punën me “Tre Luanët” më 1 janar 2025, së bashku me asistentin Anthony Barry.

Anglia shpreson se Tuchel do të drejtojë kombëtaren drejt lavdisë, pasi pa që Southgate t’i udhëhiqte “Tre Luanët” në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018 dhe në finalet e Kampionatit Europian 2020 e 2024.

Zgjedhja e parë e FA për këtë punë raportohet se ka qenë trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, por vendimi është marrë për të emëruar Tuchel, i cili ishte në dispozicion, pas largimit nga Bayern Munich në maj.

“Jam shumë krenar që më është besuar drejtimi i kombëtares së Anglisë. Kam ndjerë prej kohësh një lidhje personale me futbollin në këtë vend, i cili më ka dhënë disa momente të pabesueshme tashmë. Të kem mundësinë të përfaqësoj Anglinë është një privilegj i madh. Mundësia për të punuar me këtë grup lojtarësh të veçantë dhe të talentuar është shumë emocionuese”, theksoi Tuchel.

 

SHKARKO APP