Home Rajoni Sulmi në Banj...

Sulmi në Banjskë, Kosova kërkon ndihmë nga vendet e Rajonit për hetimet

42
0

Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë tha se ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë. Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic. Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë. Në ditët pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.

Në përgjigjen e Prokurorisë së Bosnjës dërguar REL-it thuhet se “informacionet e disponueshme paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për armë të mbetura nga lufta në Bosnje e Hercegovinë”. “Ndoshta bëhet fjalë për armë të prodhimit më të vonshëm, që nuk janë me prejardhje nga Bosnja. Përmes Institutit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për t’i përcaktuar me siguri të gjitha detajet”, tha Prokuroria e Bosnjës.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet e sulmit në Banjskë. Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia zyrtare e mohon përfshirjen.
Nga ky vend thonë se janë duke bërë hetime të ndara të sulmit. Në një deklaratë dhënë REL-it në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Bosnjës tha po ashtu se nuk ka iniciuar ndonjë hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Millan Radoiçiç, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzlla për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kemi marrë asnjë raport nga organet policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët; nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e ndonjë hetimi”, tha më 6 nëntor Boris Grubeshiç, zëdhënës i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës.

Muajin e kaluar, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se Radoiçiç akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari i këtij viti deri më 24 shtator. Sipas Prokurorisë serbe, armët i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, nga ku i ka transportuar dhe fshehur në objekte të braktisura dhe pyje në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, i hodhi poshtë akuzat nga Serbia, po ashtu. Vetë Radoiçiç, përmes një letre publike më 29 shtator, pranoi se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës. Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm. Ai po ashtu nuk i pranoi veprat, me të cilat e ngarkoi Prokuroria e Beogradit. Radoiçiq u lirua nga mbajtja në Serbi, por iu konfiskuan dokumentet.

Deri ku arritën hetimet?

Prokuroria Speciale e Kosovës tha për REL-in se po bën hetime intensive në lidhje me sulmin e 24 shtatorit. Sipas burimeve të REL-it në polici, deri më tash janë identifikuar 38 persona që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur në Banjskë. Prej tyre, 31 kërkohen për t’u arrestuar. Për personat që tashmë janë në paraburgim në Kosovë, e që janë disa, janë duke u ekzaminuar të gjitha provat, sipas burimeve. Një zyrtar policor i tha REL-it se “po hetohen provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”. Në Prokurorinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut i thanë REL-it se, deri më tash, nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Kosova për ndihmë në hetime.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë që ndihma e tillë të jetë kërkuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme deri te Ministria e Drejtësisë, por në Prokurori ende nuk ka diçka të tillë. Për sa i përket asaj se çfarë ndihme mund të ofrojmë, ne mund të ofrojmë ndihmë për persona konkretë nëse eventualisht kërkohet një gjë e tillë”, thanë nga Prokuroria në Shkup. REL-i është në pritje të përgjigjes edhe të Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, nëse ka pranuar ndonjë kërkesë nga institucionet e Kosovës dhe si ka proceduar tutje.

REL-i pyeti edhe institucionet në Mal të Zi, por nuk mori përgjigje. Sulmi në Banjskë nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. BE-ja tha se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia kërkoi që të bashkëpunojë pa kushte. /REL/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit