Hekurudha Tiranë-Durrës, Dervishaj: Brenda afateve!

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me Bankën Botërore, 2 nga donatorët më të rëndësishëm për projektet në Infrastrukturë dhe Transport.

Gjatë takimit me drejtorin e BERZH për Shqipërinë, Mateo Colagneli, është diskutuar për projektin e linjës së re hekurudhore, Tiranë-Rinas- Durrës.

Dervishaj tha se pala shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ta ndërtuar këtë linjë të re hekurudhore, brenda afateve të caktuara nga donatorët, duke kërkuar

përfshirjen në projekt edhe të stacionit të vjetër të trenave në Tiranë, për ta lidhur më tej me Kasharin, propozim që gjeti mbështetjen nga drejtori i BERZH.

Nga ana e tij drejtori Colagneli, tha se synohet firmosja e marrëveshjes brenda këtij viti, për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve në 2017. Ai njoftoi se janë siguruar fondet për implementimin e këtij projekti strategjik. Ministri theksoi se kjo linjë e re hekurudhore do ti japë një dimension dhe zhvillim të ri transportit hekurudhor.

Gjatë takimit me drejtorin e  i Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm për Evropën Juglindore,  Raymond Bourdeaux, Dervishaj foli për reformën në sektorin e ujit. Ai theksoi se shumë shpejt fillon edhe faza e dytë e kësaj reforme të rëndësishme që lidhet me implementimin në 61 ujësjellësit e rinj në gjithë vendin.

Dervishaj tha se në këtë fazë, do të synohet përfshirja dhe bashkëpunimi me kryetarët e bashkive, për ta zbatuar me sukses këtë reformë të rëndësishme. Ministri shtoi se një element që do t’i shtohet kësaj faze të dytë, është përfshirja e shoqërisë civile, pasi kjo reformë në thelb është një shërbim për qytetarët.

SHKARKO APP