Mali Tomorrit/Policia bllokon rrugët, pronarët akuza Klosit

Është tensionuar situata në Malin e Tomorrit. Prej disa orësh, makina turistësh e vizitorësh si dhe kamionat e firmave të gurit, janë të bllokuara në aksin Novaj-Tomorr dhe askush nga policia nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me situatën e krijuar.

Pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit, edhe pse kanë një muaj e gjysmë që kanë fituar gjyqin me qeverinë, VKM-ja e së cilës për shpalljen e Malit të Tomorrit “Park Kombëtar” u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, vazhdojnë të pengohen nga policia për të vijuar punën. Pronarët e firmave akuzojnë ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi, duke deklaruar se në mal po punon vetëm gurorja që ai ka në pronësi me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj.

Rreth 130 forca policie janë të shpërndara në të gjithë malin, në 8 pika strategjike, pikërisht në akset: Dobrush-Mali i Dobrushës, Bogovë-Selan,Bogovë-Novaj, Pronovik-Novaj dhe Novaj-Rrasë e Novajt. Bllokimi nga policia i të gjitha rrugëve që të çojnë drejt malit të Tomorrit,ka bllokuar për orë të tëra jo vetëm kamionët e firmave të gurit por edhe mjetet private të turistëve dhe qytetarëve që duan të vizitojnë Teqenë e Kulmakut.

SHKARKO APP