Mbreti Charles III befason turmën jashtë Pallatit Buckingham. Një festë që ka 70 vjet pa u bërë!

LONDËR (AP) – Mbreti Charles III befasoi dashamirësit të cilët filluan të mblidhen jashtë Pallatit Buckingham të premten, një ditë përpara kurorëzimit të tij, ndërsa po bëhen përgatitjet e fundit për një ceremoni që Londra nuk e ka festuar për 70 vjet.

Njerëzit në turmë brohoritën emrin e tij ndërsa Charles doli nga një makinë Bentley e drejtuar nga shoferi i veshur me një kostum blu. Një person u dëgjua të thërriste “Zot shpëtoje mbretin” ndërsa monarku britanik iu afrua turmës së rreshtuar pas një barrikade.

Charles falenderoi dashamirësit e ardhur, duke shtrënguar duart ndërsa lëvizte ngadalë përgjatë rrugës.

Theresa Iredale, tha se u drodh kur mbreti iu afrua pasi ajo thërriti emrin e tij.

“Pashë dorën e tij të zgjatej dhe thashë: ‘Nuk mund ta besoj se po i shtrëngoj dorën mbretit’, tha ajo.

Princi William, trashëgimtari i fronit, dhe gruaja e tij, Kate, gjithashtu përshëndetën publikun gjatë shëtitjes, duke folur me dashamirësit, duke pozuar për selfi dhe duke biseduar me ta.

Familja mbretërore ndaloi pas një dreke që pasoi provën e fundit për shërbimin e kurorëzimit të mbretit Charles të shtunën në mëngjes në Westminster Abbey.

Charles u ngjit në fron automatikisht kur nëna e tij, Mbretëresha Elizabeth II, vdiq vitin e kaluar. Ceremonia fetare e kurorëzimit përfaqëson kurorëzimin e tij zyrtar.

Festimi ka muaj që po përgatitet, i koreografuar deri në detajet më të vogla dhe përfshin një operacion të madh sigurie.

Përtej planifikimit masiv, Charles po përpiqet të mbetet i rëndësishëm pasi mbështetja për monarkinë është zbehur, veçanërisht në mesin e një brezi të ri që kujdeset më pak për traditat e mbretërisë. Kurorëzimi i tij ndodh pasi disa britanikë vënë në dyshim shpenzimet e mëdha të fondeve publike – pa asnjë vlerësim të dhënë ende – gjatë një krize të kostos së jetesës që ka lënë shumë britanikë në vështirësi.

Të enjten, William dhe Kate, Princi dhe Princesha e Uellsit, morën një tren metroje dhe vizituan një pub në Soho para kurorëzimit.

Turma jashtë pallatit është rritur prej disa ditësh, me vizitorë nga e gjithë bota që mblidhen për të dëshmuar historinë teksa monarku i fundit kurorëzohet në një traditë që daton më shumë se 1000 vjet më parë.

Shumë prej të mbledhurve për ceremoninë kanë ngritur tashmë çadra ose kanë planifikuar të kalojnë natën duke shpresuar për një vend të mirë për procesionin të shtunën dhe ndoshta një pamje të monarkut të sapokurorëzuar dhe të mbretëreshës Camilla, gruas së tij, pas kthimit nga ceremoni.

Ata që prisnin vetëm një paraqitje të shkurtër të mbretit, u shpërblyen shumë që e takuan personalisht.

“Absolutisht e mahnitshme, thjesht surreale,” tha Gillian Holmes.

“Vajza ime tha se këmbët i dridheshin, ajo ishte në shok,” tha zonja Holmes. “Kurrë nuk e kam ëndërruar se do të takohesha me mbretin. Nuk mund ta besoj.”

Gjatë gjithë ditës, udhëtarët e metrosë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar u përshëndetën me një mesazh të regjistruar nga mbreti teksa hipnin në trena duke u uruar atyre dhe familjeve të tyre “një fundjavë të mrekullueshme kurorëzimi”.

Zonja e Parë Jill Biden ndodhet në Londër për kurorëzimin e mbretit Charles III. Presidenti Joe Biden dërgoi gruan e tij për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në kurorëzimin e së shtunës. Asnjë president amerikan nuk ka marrë pjesë në një kurorëzim britanik. Jill Biden e kaloi pjesën më të madhe të së premtes me gruan e kryeministrit Rishi Sunak, Akshata Murty. Zonja e parë kthehet në Uashington të dielën./VOA/

SHKARKO APP