Top Channel akuza ish-ministrit Fatmir Xhafaj
Top Story u fokusua kësaj here tek një profil i Fatmir Xhafajt, një nga politikanët më të spikatur të politikës shqiptare.
Nëpërmjet pamjeve ekskluzive dhe të patransmetuara ndonjëherë, Top Story dokumentoi të kaluarën e Xhafajt në kohën e komunizmit. Kjo video kulmon edhe me nisjen e karrierës së tij në politikë.
Në këtë video, Xhafaj shihet i lumtur dhe krenar, i shtrëngon fort dorën udhëheqësit komunist, madje herë pas here i fut edhe krahun dhe mbështet kokën tek supet e tij… është një përkushtim i denjë ndaj Enver Hoxhës, ku çdo komunist do ta kish zili.
Në një moment tjetër, Xhafaj puth me përzemërsi një tjetër udhëheqës komunist, Mehmet Shehun.
Por, ky nuk është i vetmi moment i të kaluarës së Xhafës me diktaturën. Në një foto të publikuar nga Top Story, pranë Kryetarit të Kuvendit Popullor si dhe zëvendëskryeministrit, ndodhet sërish Fatmir Xhafaj.
![](https://www.gazetaexpress.com/public/uploads/image/screenshot-7_1544040561-967256.jpg)
Top Story sjell një tjetër pozim të Xhafajt në krah të Hekuran Isajit në qytetin e Krujës. Asokohe, Xhafaj i cili shfaqet i qeshur, kishte nisur një detyrë të rëndësishme në qytet, atë të hetuesit.
![](https://www.gazetaexpress.com/public/uploads/image/screenshot-8_1544040572-2410199.jpg)
Angazhimi në sistemin e drejtësisë së kohës e ndihmon Xhafajn të katapultohet në politikë. Ai konsiderohej një yll në ngjitje. Si një idealist i përkushtuar i regjimit, Xhafaj do të arrinte shumë shpejt suksesin, pasi i besohet posti i Sekretarit të Rinisë në vitin 1986, detyrë që e mban deri në vitin 1990, kur nisën edhe ndryshimet e sistemit.
Xhafaj kishte arritur të krijonte besimin e udhëheqjes së kohës, aq sa atij i caktoheshin detyra për ndjekjen dhe raportimin mbi mbledhjet ku kritikohej linja e Partisë Komuniste.
Këtë na e rrëfen edhe Sabit Brokaj, një prej eksponentëve më të rëndësishëm të së majtës pas rënies së komunizmit:
“Ka qenë fundi i ’90-s dhe në Fakultetin e Mjekësisë bëmë një mbledhje partie. Unë në atë kohë isha dekan i fakultetit. Kërkuam drejtëpërdrejtë në organizatë dorëheqjen e qeverisë Çarçani, ndryshimet në Partinë e Punës në Parti Socialdemokrate. Të deleguar erdhën nga partia, erdhi edhe nga rinia Fatmir Xhafaj. Tha “neve na duhet të informojmë për këtë”. Po mirë, i them, informoni. “Po nuk na vjen mirë, na e ktheu, se mund t’ju bëjmë dëm”. Komunizmi ishte në grahmat e fundit. Megjithatë, pas asaj mbledhjeje shumë prej pjesëmarrësve mund të prisnin ndëshkime pas raportimit që do bëhej nga Xhafaj. “Ne nuk patëm asnjë pasojë. E vlerësova qëndrimin e tij të them të drejtën. Në këtë kuptim, ai pati rezervë të informonte partinë e tij”, tha Sabit Brokaj./top channel/