Trofeu i Conference League do të ekspozohet në Sheshin “Skënderbej” një ditë para finales

Trofeu që do të dorëzohet mbrëmjen e 25 Majit në Tiranë do të shfaqet për publikun një ditë para finales së Conference League. Sheshi “Skënderbej” do të jetë një nga hapësirat që do të presë tifozë dhe kureshtarë për të parë kupën e parë të turneut më të ri për klube në Europë.

“Një ditë para ndeshjes, në orën 10:45, trofeu do të vijë zyrtarisht në shesh i shoqëruar nga ambasadori i aktivitetit Lorik Cana, Presidenti i FSHF-së dhe Kryetari i Bashkisë. Njerëzit mund të shkojnë atje të bëjnë një fotografi me trofeun dhe besoj se kjo nuk ndodh çdo ditë.

Mendojmë që do të kemi nga 5 mijë deri 10 mijë njerëz njëkohësisht, pastaj fluksi do të ndryshojë deri në orët e mbrëmjes ku do të ketë edhe koncerte”, tha Gazmend Malo, drejtor i Marketingut në FSHF.

Pritet që kulmi të jetë më 25 Maj ku e gjithë Tirana do të përfshihet në atmosferën e finales Roma-Feyenoord.

SHKARKO APP