Tryezë e përbashkët me ambasadorët Kim dhe Soreca, Ministrja Gjonaj: Reforma në Drejtësi në rrugën e duhur! Rezultatet e SPAK, domethënëse

5 vite nga Reforma në Drejtësi ka mbledhur në një tryezë të përbashkët ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj si edhe krerët e institucioneve të reja, mes tyre Gent Ibrahimi nga KLP, Naureda Nallbani e KLGJ, Arben Kraja nga SPAK, Kryeprokurori Olsian Çela etj.

Në takim morën pjesë edhe ambasadorja Yuri Kim si edhe ambasadori Luigi Soreca, ku SHBA-BE kanë luajtur një rol thelbësor në miratimin e kësaj reforme me 140 vota në Kuvend më 2016.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se Reforma në Drejtësi po ecën në rrugën e duhur dhe se po kthehet besimi te drejtësia, por shtoi se Vettingu është një nga sfidat kryesore pasi duhet të ecë me ritme më të shpejta.

5 vjet nga miratimi i reformës në Drejtësi janë provë e gjallë e një sërë arritjesh tepër të rëndësishme që kanë shërbyer si gur themeli në kapërcimin e sfidave të drejtësisë së re, që tregojnë qartësisht se reforma është në udhën e duhur në një process të pakthyeshëm. Arkitektura kushtetuese dhe ligjore ka garantuar pavarësinë dhe paanësinë e plotë të sistemit të drejtësisë. Të pandikuar nga politika dhe çdo faktor tjetër të jashtëm, organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë kanë në dorë që përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore në promovimin, emërimin e magjistratëve në sistem ashtu si dhe inspektimin dhe procedimin disiplinor në rastet e shkeljeve, ta ushtrojnë me përgjegjshmëri dhe transparencë. Lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë po njeh një kurbë rritëse, duke shënjuar në vijimësi me rezultate të prekshme, të vlerësuara dhe të mirëpritura nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha Ministrja Gjonaj.

SHKARKO APP