Veliaj dhe Kushi inaugurojnë shkollën e re 9-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijon turin e inaugurimit të shkollave të reja që po hapen këtë vit të ri arsimor në kryeqytet. Sot kryebashkiaku Veliaj së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi, inauguruan shkollën e re 9-vjeçare “Hasan Vogli” në Njësinë 9 në kryeqytet.

Veliaj tha se ky investim i ri, përveç nxënësve dhe mësuesve do u shërbejë edhe banorëve, pasi do i japë një tjetër vlerë gjithë kësaj zone. “Shkolla “Hasan Vogli” me gjasë do imponojë këtë estetikë dhe këtë kulturë në gjithë këtë komunitet. Unë mezi pres të marr aplikimet nga pallatet përreth. Bashkia paguan 50% të veshjes me kapotë, Bashkia paguan 50% ndërhyrjes në tarracë, Bashkia paguan 50% që të vihet një ashensor. E bukura të imponon një sjellje qytetare. Po krijojmë një standard”, u shpreh ai.

Ministrja Evis Kushi gjatë fjalës së saj theksoi se viti 2021 do të mbahet mend si viti kur janë ndërtuar më shumë shkolla të reja se çdo vit tjetër. “Kemi më shumë shkolla të reja me standarde bashkëkohore, të forta, të sigurta, me laboratorë e terrene sportive. Përfitues nuk janë vetëm nxënësit dhe mësuesit por të gjithë anëtarët e komunitetit, pasi këto shkolla kthehen në qendra sociale, kulturore e artistike për të gjithë komunitetin. Por nuk mjafton vetëm një ndërtesë e bukur për të pasur një arsim cilësor por na duhet që edhe mësuesit të jenë profesionistë të aftë e të përkushtuar. Prandaj ne i zgjedhim më të mirët që kur fillojnë studimet për mësuesi. Jo çdo maturant mund të studiojë për mësuesi, por vetëm ata që kanë mesatare të lartë, sepse ne duam që mësuesit për fëmijët tanë të jenë më të aftët. Edhe pasi diplomohen e marrin liçencën ata duhet të punësohen nëpërmjet portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, i cili karakterizohet nga transparenca dhe meritokracia”, tha ajo.

Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli” është një nga 10 shkollat e reja dhe dy kopshtet që po hapen për fillimin e vitit të ri shkollor në Tiranë, duke mirëpritur nxënësit me kushte më moderne dhe standarde europiane.

SHKARKO APP