Veliaj nga Athina: Tirana merr Presidencën e Qyteteve të Ballkanit në 2024

Vitin e ardhshëm Tirana do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40. Këtë lajm e ndau kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili merr pjesë në Samitin e Rrjetit B40, që po zhvillohet këto ditë në Athinë, me pjesëmarrjen e 70 kryetarëve të bashkive nga 10 shtete të Ballkanit.

Rrjeti B40 është një nismë e themeluar në Stamboll, e cila synon rritjen e bashkëpunimit rajonal mes qyteteve, si dhe të punuarit së bashku, sidomos për çështjet klimaterike, demokracinë, paqe dhe stabilitet.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi marrjen e Presidencës si një mundësi të madhe për Tiranën. “Është kënaqësi e jashtëzakonshme që sot, nga Athina, Tirana merr Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve ballkanike, B-40 për vitin 2024. Pas vitit 2022, ku ne ishim “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, këtë vit jemi “Qyteti Europian i Sportit 2023”, ndërsa vitin tjetër do të kemi Presidencën e Rrjetit më të madh të Qyteteve të Ballkanit. Rrjeti B-40 filloi vitin e kaluar në Stamboll, u themelua aty, nga 40 qytetet më të mëdha të Ballkanit. Janë qytete me mbi 50 mijë banorë. Këtë vit, rrjeti ka shkuar në 70 qytete. Presidenca këtë vit është këtu në Athinë dhe jam shumë i lumtur që lajmi se Tirana do të jetë shtëpia e re e Rrjetit më të madh të Qyteteve Ballkanike për 2024, u dha sot”, tha Veliaj.

Sipas tij, kjo është një mundësi që në vitin 2024 të tregojmë mikpritjen shqiptare dhe tiranase.

SHKARKO APP