Vëllazëria Ungjillore Shqiptare dhuron gjak, Meta: Të vëmë në jetë porosinë e Nënë Terezës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte i pranishëm sot në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, aty ku u zhvillua seanca e radhës e dhurimit vullnetar të gjakut, e organizuar në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Kreu i shtetit çmoi gatishmërinë dhe punën e pastor Ylli Doçit, të drejtuesve të tjerë shpirtërorë dhe besimtarëve ungjillorë të krishterë shqiptarë, sidomos të të rinjve të solidarizuar me kauzën fisnike.

Po ashtu Meta kërkoi që secili të mbështesë këtë nismë humane për të përmbushur nevojat jetike të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë pacientëve që u nevojitet gjak.

“Të dhurosh gjak do të thotë të dhurosh jetë, sepse gjaku i dhuruar shpëton jetën e dikujt, që ka nevojë jetike për të. Dhe njëkohësisht, do të thotë të dhurosh dashuri, sepse dhurimi bëhet vetëm nëse dëshiron me shpirt e zemër ta bësh atë veprim.

Siç na mëson Shenjtorja jonë e dashur Nënë Tereza, përvjetorin e shenjtërimit të të cilës e festuam vetëm disa ditë më parë, ‘Dhuro dashuri kudo ku shkon!’. Dhe po ashtu, Shën Tereza na mëson se: ‘Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Nuk ka kuptim. Dashuria duhet të vihet në veprim dhe ky veprim është shërbimi’. Të dhurosh gjak për të sëmurët talasemikë, e veçanërisht për fëmijët talasemikë, është të veprosh, t’u shërbesh atyre me një dhuratë të paçmueshme, si gjaku.

Dëshiroj të falënderoj nga zemra të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, që me aktin e tyre human, shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish, i japin shpresë dhe ju kthejnë buzëqeshjen fëmijëve talasemikë dhe të gjithë të sëmurëve, që kanë nevojë për këtë dhuratë të shtrenjtë jetësore”,-u shpreh Presidenti Meta.

SHKARKO APP