“Visit Malta Trophy”/ Shqipëria humbet ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë

Shqipëria e vajzave zhvilloi ndeshjen e parë në turneun “Visit Malta Trophy”. Vajzat kuqezi u mposhtën nga Bjellorusia në stadiumin “Tonny Bezzina” me rezultatin 0-3.

Ndeshja nisi më mirë për Shqipërinë që i shkoi shumë pranë golit që në minutën e 5-të. Vajzat kuqezi rrezikuan dy herë me Djellza Istrefajn dhe Fortesa Berishën por pa sukses. Në minutat në vijim Shqipëria pësoi golin e parë në të 35-ën, pas një autogoli.

Pjesa e parë përfundoi 0-1, ndërsa fraksioni i dytë nisi me një zëvëndësim për Kombëtaren. Në fushën e lojës u aktivizua Arbenita Curraj, ndërsa Bjellorusia realizoi edhe golin e dytë në minutën e 62 me Anna Pilipenko.

Katër minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, Bjellorusia shënoi edhe një tjetër gol me të njëjtën autore, Anna Pilipenko. Në fund sfida përfundoi me fitoren e Bjellorusisë me rezultatin 3-0.

Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë në turneun “Visit Malta Trophy” ndaj Ishujve Faroe, më 25 shkurt. Edhe ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Tonny Bezzina” në ora 14:00.

SHKARKO APP