Home POLITIKE VOA: Berisha ...

VOA: Berisha paralajmëron për mosbindje civile, aksion pa kthim

79
0

Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, mblodhën sot Kuvendin Kombëtar, ku paralajmëruan mosbindjen civile si aksionin e tyre të ardhshëm për t’ju kundërvënë shumicës socialiste në pushtet. “Mosbindja civile është betimi im”, tha zoti Berisha në fjalën e tij, ndërsa deklaroi se “do të jetë një aksion pa kthim për të shpëtuar demokracinë”. Ai ftoi që kësaj lëvizje t’u bashkohen dhe faktorët e tjerë opozitarë: “Ne mund të jemi të ndryshëm, por Edi Rama është armiku ynë i përbashkët. Mos mendoni se Edi Rama rrëzohet me fjalime, deklarata apo me zgjedhje”.

Ish kryeministri, solli si shembull të efektit të mosbindjes civile, qëndrimin në parlament të deputetëve që e përkrahin atë, duke penguar zhvillimin e seancave dhe punën e komisioneve parlamentare. “43 vetë jemi në parlament, vetëm një muaj kemi dhe me kaq veta, në kaq pak kohë, me betejën pa kthim dhe mosbindjen civile, ne i çorrëm maskën Edi Ramës. E gjithë bota mësoi ditët e fundit, se Shqipëria një vend anëtar i NATO-s ka një kryeministër që ka bërë grusht shteti brenda shtetit”, u shpreh zoti Berisha.

Megjithatë, në Kuvendin e sotëm mungonin një pjesë e mirë e atyre deputetëve, të cilët bëjnë pjesë në atë që njihet si grupimi i zotit Gazmend Bardhi. Kritikë të rikthimit të zotit Basha në krye të PD-së zyrtare, në muajin shtator, ata u afruan me deputetët që përkrahin ish kryeministrimin, për të forcuar qëndrimin e opozitës në sallën e parlamentit, por duke refuzuar sot të jenë pjesë e e asaj që zoti Berisha e konsideron si Partia e vërtetë Demokratike.

Ish kryeministri nuk e bëri të qartë se kur ky aksion i opozitës do të shtrihet përtej parlamentit, dhe se për çfarë forme të mosbindjes civile ai bën fjalë.

Një nga momentet që ra në sy në Kuvend, ishte shfaqja për herë të parë në një aktivitet politik të demokratëve, të zonjës Argita Malltezi, vajza e ish kryeministrit. Por zoti Berisha deklaroi se ajo thjesht mori fjalën si një aktiviste që në ditët e para të themelimit të Partisë Demokratike. “Është fjalimi i parë i saj publik në Kuvendin e partisë po kjo nuk do te thotë asgjë më shumë se sa një fjalim në të cilën shprehu si aktiviste e Partisë Demokratike mendimet e veta”, tha zoti Berisha, ndërsa vetë ajo shpjegoi se nuk kishte asnjë ambicie politike.

Bashkëshorti i zonjës Malltezi, është në arrest shtëpie, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për procedurat e privatizimit të ish Klubit sportiv Partizani, të cilat kanë përfshirë dhe vetë ish kryeministrin Berisha.

Kuvendi i sotëm u thirr për votbesimin e zotit Berisha, pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit, por në fakt për to nuk u fol. Ish kryeministri e shpjegoi këtë me faktin se sipas tij vendi gjendet përpara “zhvillimeve dramatike, të zhvillimeve do të thosha më dramatike nga viti 1991 e gjer sot, të grushtit të shtetit brenda shtetit, ndaj opozitës. Sigurisht kjo situatë i dikton PD-së, agjendën e saj duke filluar nga parlamenti dhe duke vazhduar në të gjithë strukturat e saj. Kam bindjen se ky angazhim i PD-së dhe kjo platformë që paraqitet sot në kushtet e emergjencës së krijuar nga grushti i shtetit brenda shtetit, nuk do të pengojë analizat e demokratëve për zgjedhjet e kaluara”.

Rioknfirmimi i zotit Berisha ishte një formalitet. Nga 1 mijë delegatë që morën pjesë në votimin për votbesimin e tij, vetëm 55 votuan kundër, ndërsa 7 vota u shpallën të pavlefshme./VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit