Vrasja e Lolës – Franca e trazuar

Vrasja mizore e një 12-vjeçareje në Paris ka shokuar Francën. Partitë e djathta e ekstremistët e përdorin këtë tragjedi si armë kundër qeverisë në politikën e migracionit.

Të premten e shkuar Lola u gjet e vrarë brutalisht në oborrin e shtëpisë së saj. Që më parë babai kishte vënë alarmin, kur priste vajzën që nuk u kthye nga shkolla. Menjëherë më pas u identifikua një e dyshuar dhe u arrestua. Femra e dyshuar ndodhet në paraburgim bashkë me një ndihmës të dyshuar. Ekspertizat psikologjike do të sqarojnë gjendjen psikike të të dyshuarës që edhe më parë ka vuajtur nga sëmundje psikike.

Rikthimi i Zemmour në skenën politike

Ekstremistin e djathtë francez, Eric Zemmour e kishte mbuluar heshtja këto kohë, pasi partia e tij “Reconquête” në zgjedhjet parlamentare arriti vetëm 4% të votave. Partia e tij e “ripushtimit” u përkrah nga konservatorët ekstremistë, dhe të pakënaqurit e partisë së Le Pen, Rassemblement National, mes tyre edhe mbesa e Le Pen-it, Marion Mareshal. Por propaganda e tij e ekzagjaruar kundër islamit largoi shumë votues. Tani Zemmour është kapur pas vrasjes së Lolës për t’u rikthyer në skenën politike. “Nënshtetase algjeriane dhe ilegale, tani është zyrtarisht: vrasësja e Lolës nuk duhej të ndeshej kurrë me vajzën. Edhe njëherë. #Francocide” shkruan Zemmour në twitter.

Tek e dyshuara për vrasjen e Lolës bëhet fjalë për algjerianen Dahbia B. që erdhi me vizë studentore në Francë para 6 vjetësh. Por asaj i kishte përfunduar e drejta e qëndrimit, pas një kontrolli në gusht në aeroport, Dahbia B. mori urdhrin për largimin nga Franca deri në fund të shtatorit. Por Dahbia B, si shumë migrantë të tjerë ilegalë nuk u largua. Ministria e Brendshme në Paris ka deklaruar se nga fillimi i vitit janë dëbuar vetëm 20% e personave që duhej të largoheshin nga Franca. Por shifra e errët mund të jetë në disa qindra mijëra vetë, që qëndrojnë ilegalisht. Nga qeveria thuhet, se deri tani fokusi ka qenë tek dëbimi i personave me vepra penale. Dahbia B. nuk kishte pasur probleme me drejtësinë më parë. Zëdhënësi i qeverisë franceze, Olivier Veran tha se duhet ketë “përmirësime” tek dëbimet dhe se po punohet me intensitet që ato të zbatohen. Por ai paralajmëroi të mos instrumentalizohet dhe politizohet ky rast. Por Zemmour dhe përkrahësi i tij, Samuel Lafont bëjnë fjalë prej disa ditësh për “konspiracionin e heshtjes” dhe kanë protestuar kundër “pasigurisë vrasëse”.

Sulme nga e djathta në Asamblenë Kombëtare

Të martën presidenti francez, Emmanuel Macron priti prindërit e vajzës së vrarë dhe u shprehu ngushëllimet. Prindërit e Lolës janë tërhequr ndërkohë në Breton për t’i ikur zhurmës mediatike. Këtë javë në Asamblenë Kombëtare në Paris pati sulme të forta verbale nga e djathta. “Shumë krime kryhen nga imigrantë ilegalë, që ne nuk i donim dhe që nuk mundëm t’i kthenim në shtëpi”, ka deklaruar kryetarja e opozitës, Marine Le Pen, që në zgjedhjet presidenciale arriti 42% të votave kundër Macron. Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne e paralajmëroi Le Pen të tregonte “më shumë ndjenjë mirësjelljejeje” e të respektonte “dhimbjen e familjes dhe kujtimin për Lolën”. Por edhe konservatorët që bashkëpunojnë me kampin e presidentit herë pas herë e sulmuan qeverinë. “Ky fëmijë u torturua, u dhunua dhe u vra nga një emigrante ilegale që duhej të ishte larguar nga Franca.” Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për këtë dështim, tha deputeti Eric Pauget. Ministri i Drejtësisë, Eric Dupont-Moretti e fajësoi opozitën se kërkon të nxjerrë edhe avantazhin më të vogël politie prej kësaj edhe “e përdor arkivolin e vajzës 12-vjeçare si trampolinë”, dhe ky “është turp”.

Përdorimi i vrasjeve dramatike nga ekstremi politik

Politologu Jean-Yves Camus nga Fondacioni Jean Jaurès në Paris është i mendimit se “të gjithë ata që duan të nxjerrin avantazhet e tyre nga kjo vrasje e tmerrshme janë shumë të pandershëm. Ne vërtet kemi probleme me dëbimet, që nuk zbatohen. Por ky problem mund të zgjidhet vetëm me politikën dhe diplomacinë, jo duke mbjellë urrejtje dhe të rrisësh pikëllimin e familjes.” Marrëdhëniet me Algjerinë, vendin nga ku shumë qytetarë nuk kanë leje qëndrimi, janë të tensionuara. Qeveria franceze duhet të peshojë gjithmonë, se sa konfrontuese do të jetë duke kryer dëbime në masë të gjerë.

Një analizë e stacionit televiziv France Info kujton, se përdorimi i rasteve dramatike të kriminalitetit  nga krahu ekstrem politik në Francë ka traditën e vet. “Në vitet 70-të ishte Jean-Marie Le Pen (babai i Marine Le Pen) që vrasjet që kryenin të huajt i përdorte për të fshikullur migracionin”, shkruan Renaud Dely. Sot Marine Le Pen përdor dramën e Lolës për të bërë për vete ata që kanë mbetur ende në krahun konservator./DW/

SHKARKO APP