Zëri i Amerikës: Dështon nisja e bisedimeve me BE-në për Tiranën dhe Shkupin

Problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë sërish pengesë për një vendimarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, nga njëra anë dhe Bashkimit Europian nga ana tjetër, që do të shënonte dhe nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet ballkanike.

“Megjithë angazhimin e madh, nuk u bë e mundur që të arrihet në një marrëveshje për kornizën e bisedimeve, e për pasojë nuk qe e mundur që të nisnim me konfernzën ndërqeveritare me këto dy vende kandidate”, deklaroi Ana Paula Zacarias, Sekretare e Shtetit për Çështjet europiane e Portugalisë, vendi i cili ka mbajtur presidencën e BE-së në 6 mujorin e parë të këtij viti.

Deklarata e saj u bë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, e zhvilluar sot në Luksemburg. ”Gjithçka të të spostohet tanimë në shtator, kur presidencën e radhës do ta ketë Sllovenia. “Presidenca Slovene është angazhuar për të çuar përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje”.

Për Shqipërinë ka një konsensus të pranuar nga të gjithë shtetet, për t’i ndezur dritën jeshile përparimit të mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit. Së fundmi dhe Holanda një ndër vendet më skeptike, ra dakort me vlerësimin e Komisionit Europian për ecurinë pozitive të Shqipërisë.

Për Maqedoninë e Veriut, problem mbetet vetoja e Bullgarisë e cila nuk lëshon pe, ndonëse shumë vende anëtare po këmbëngulin që problemet bilateral të mos bëhen pengesë në procesin e integrimit. Mosmarrëveshjet mes Sofies dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën.

Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja. Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë.

SHKARKO APP