Zv/kryeministrja Balluku prezanton projektin: Brenda 2024 transport me dron të pakove postare

Nga 2024 posta do të na vijë me dron në shtëpi. Ky është projekti i ri i prezantuar nga zv.kryeministrja, Belinda Balluku. Ajo tha se ky ndryshim do të kursejë kohë, por edhe ulje të emetimeve të karbonit. Në deklaratën e saj, Balluku u shpreh se ky mund të duket një projekt futurist, por që është realisht i realizueshëm.

“Duke nisur nga viti 2024, të fillojmë të prodhojmë dhe të kemi një projekt të ri, i cili do të ngjajë prapë pak futurist, ashtu siç u komentuan satelitët që sot funksionojnë më së miri dhe na japin të dhëna të jashtëzakonshme për proceset e ndryshme administrative që ne kemi, dhe bëhet fjalë për transportin me dron. Transporti me dron i cili do të marrë nga qendrat e ndryshme kudo në Shqipëri, nga qendrat postare do të marrë pakot postare për ti transportuar ato diku në një vend tjetër.

E gjitha kjo do të na japë efiçiencë në kohë, efiçiencë financiare dhe mbi të gjitha edhe ulje të emetimeve të karbonit që është edhe kjo një nga synimet e Republikës së Shqipërisë për shkak të të gjitha angazhimeve që ne kemi marrë për axhendën e gjelbër europiane, por edhe atë ndërkombëtare që sa më pak mjete transporti të përdoren dhe sa më shumë të përdoret inovacioni, siç është rasti i dronëve, ne do të arrijmë targetet tona”, tha Balluku.

SHKARKO APP