Kur Vjena kundërshtonte pretendimet serbe për Shqipërinë

DOSSIER/Luftërat Ballkanike dhe Shqipëria/Shtetet e Aleancës Ballkanike, kërcënim të përbashkët ndaj Austrisë

Nga Nuri Dragoj

(Vijon nga numrat e kaluar)

Paget i raportonte Edward Greyt, se, sipas ministrit austriak në Serbi, shtetet ballkanike e shihnin rezultatin e luftës të sigurt. Sipas tij, ndarja e Turqisë Europiane pas luftës do të bëhej në këtë mënyrë: Serbia do merrte Sanxhakun apo “Serbinë e Vjetër” dhe Portin e Shëngjinit. Mali i Zi do të merrte Shkodrën me territoret e saj dhe një brez në bregdet. Greqia do të merrte Epirin dhe Thesalinë, ndërsa pjesa tjetër do t’i kalonte Bullgarisë.

Sipas këtij njoftimi bëhej e ditur se të katër shtetet do të nënshkruanin një aleancë mbrojtëse dhe sulmuese për 50 vjet. Materiali mbërriti menjëherë në dorën e  Edward Greyt. Një ditë më vonë, flota greke do të pushtonte Pashalimanin dhe po depërtonte brenda Gjirit të Vlorës. Në atë kohë Ismail Qemali ndodhej në Stamboll për të diskutuar me autoritetet turke, në lidhje me autonominë e Shqipërisë. Thuhej që së shpejti ai do të ndërmerrte një turne bisedimesh në kancelaritë europiane. Shpresa e shqiptarëve ishte mbështetur te Vjena dhe Roma. Ngjarjet u zhvilluan shpejt. Madje disa prej tyre në mënyrë të çuditshme. Serbia sulmoi Shkupin dhe dëboi me lehtësi trupat turke prej andej. Në letrën që ambasadori britanik shkruante nga Beogradi për Sër  Edward Grey, shprehej habia për fitoren e serbëve në sulmin ndaj Shkupit dhe territoreve të tjera përreth tij. Madje, për këtë fitore me kaq lehtësi ishin çuditur edhe vetë serbët. Habia buronte më tepër nga fakti, se forcat turke nuk bënë rezistencë. Madje nuk hodhën asnjë pushkë, me përjashtim të Kumanovës. Paget nënvizonte, se qëndresë kundër përparimit të forcave serbe kishin bërë vetëm shqiptarët. Ata thjesht mbroheshin dhe përbëheshin nga çeta të pastërvitura. Nuk kishin as artileri.

Trupat serbe, duke gjykuar nga humbjet që patën pësuar, nuk e kishin të lehtë të mposhtnin forcat turke. Prandaj, vijonte Pageti, nuk është e paarsyeshme të mendohet, që po të kishin bashkëpunuar trupat e rregullta turke me shqiptarët, ushtria serbe do të kishte pasur rezultate krejt të tjera. Më poshtë, ai përmendte edhe njëherë telegramin e tij me numër 43, të datës 27 tetor 1912, ku kishte hedhur mendimet e ministrit austriak. Sipas tij, “shtetet e Ballkanit tashmë e vështronin copëtimin e plotë të Turqisë Europiane midis tyre, si një gjë të sigurt”. Për Pagetin, pjesë e Serbisë do të ishte e gjithë “Serbia e Vjetër”, që përfshinte vilajetin e Kosovës, Manastirin dhe Portin e Shëngjinit në Adriatik. Suksesi i trupave serbe kishte krijuar një gjendje të jashtëzakonshme shqetësimi te austriakët. Austria ishte përpara dilemës: ose ta dëbonte Serbinë nga Sanxhaku me forcën e armëve ose t’i lejonte asaj zgjerimin sipas dëshirës. Por Serbia, nëpërmjet intrigave dhe propagandës do të shkaktonte trazira. Nuk do të mungonin dhe shqetësimet në provincat sllave të Austrisë. Kjo e fundit, në rrethanat e krijuara, mund të detyrohej të merrte masa energjike për mbrojtjen e vetë. Por një veprim i tillë mund ta çonte atë në konflikt edhe me Rusinë.  Ngjarjet në Beograd rridhnin shpejt. Përveç lajmeve për rezultatet e luftës, një pjesë e vëmendjes së shtypit ishte drejtuar te diplomacia. Por informacionet merreshin me vonesë dhe thelbi i takimeve diplomatike mbetej i errët për lexuesit e gazetave. Ajo që binte në sy në qarqet sllave ishte alarmi për mosmarrëveshjet e tyre me Austrinë, në lidhje me statukuonë pas luftës. Në pamjen e parë dukej sikur pjesa kryesore e kontradiktave kishte të bënte me Sanxhakun. Por deri në atë moment, Austro – Hungaria nuk ishte shprehur qartë për Ballkanin. Pra, nuk e kishte thënë drejtpërdrejt mendimin e vet për Serbinë. Sllavët, të shqetësuar për situatën, por dhe të mbingarkuar me krimin e tyre në Ballkan, kërkonin burime të ndërmjetme nga diplomacia ruse, angleze dhe franceze.

Më 4 nëntor, ministri bullgar Toshev kërkoi takim urgjent me ambasadorin britanik në Beograd. Në lidhje me Sanxhakun, ministri bullgar ishte shprehur se kjo nuk do të ishte një çështje vetëm midis Austrisë dhe Serbisë, por një problem midis Austrisë dhe Aleancës Ballkanike. Në këtë mënyrë, shtetet e Aleancës Ballkanike lëshuan kërcënimin e parë të përbashkët ndaj Austrisë, duke e paralajmëruar atë se nuk i trembeshin luftës. Këtë e bënin të ditur nëpërmjet ministrit bullgar. Bullgaria merrte rolin e liderit, sepse kishte pretendime të shumta territoriale në zonën e nxehtë ballkanike, duke përfshirë këtu edhe territore të kufijve shqiptarë. Gjatë atij takimi, përfaqësuesi i Aleancës Ballkanike foli më hapur se kurrë. Midis të tjerave ai paralajmëroi, se Aleatët ishin të vendosur të mbanin me çdo kusht territoret që kishin kapur dhe vetëm forca mund t’i largonte që andej.

– Në rast se Fuqitë e Mëdha do të merreshin vesh që ta bënin të detyrueshme zbrazjen, kjo do të shkaktonte një pakënaqësi të pashuar. Do të ketë trazira të vazhdueshme, – u shpreh diplomati bullgar dhe vazhdoi: – Unë e kuptoj që pozita e Austrisë është e vështirë. Por mendoj se ajo duhet të heqë dorë nga ambiciet e saj në Shqipëri. Po ashtu dhe në drejtim të Selanikut.

Ralph Paget nuk foli. Ai vazhdonte të dëgjonte me vëmendje, duke mos ia hequr sytë ministrit bullgar.

– Këtë e them për Austrinë, duke përjashtuar rastin, nëse ajo synon një luftë europiane, – vijoi ai. Për një çast heshtën të dy. Duket se ministri bullgar e kishte dhënë pjesën më të rëndësishme të mesazhit, për të cilin ishte ngarkuar nga aleatët ballkanikë. Këtë duhej ta deklaronte zyrtarisht para përfaqësuesit anglez. Natyrisht, disa ministra të tjerë të Aleancës ishin ngarkuar për ta përcjellë mesazhin edhe te francezët, rusët, gjermanët, etj. Ministri bullgar dukej i lehtësuar. Megjithatë, ai e mori përsëri fjalën dhe vijoi me pjesën e dytë të përmbajtjes.

– Lidhur me mundësinë e një lëvizjeje proserbe, që do të ngjallet si rezultat i zgjerimit të Serbisë, Austria mund të bëjë shumë për ta mënjanuar këtë rrezik. Kjo arrihej duke bërë trajtimin e duhur për serbët dhe dominionet e saj.

Toshev kishte thënë gjithçka. Në fund ai shprehu angazhimin e Bullgarisë, që të pengonte rrezikun serb. Sipas tij, Bullgaria do të ishte një kundërpeshë, kundrejt çdo plani pansllavist. Pas kësaj pasqyre, ai priti një copë herë për të mësuar, se cili mund të ishte qëndrimi i Anglisë në këto rrethana, por Paget e shmangu vijimin e mëtejshëm të bisedës.

Në pasditen e 5 nëntorit, ambasadori britanik në Bullgari, Sër H. Bax-Ironside*, i dërgonte një telegram  Edëard Greyt. Midis të tjerave ai vinte në dukje, se Aleatët Ballkanikë ishin tërësisht të vendosur të mbanin Sanxhakun. Ata do të merreshin vesh për krijimin e një Shqipërie autonome. Po ajo do të ishte e kufizuar në Veri nga Gjiri i Notocos, duke u shtrirë në Jug, deri në një pikë të bregut, përballë Korfuzit. Dhe në Lindje, nga Lugina e Strugës buzë Liqenit të Ohrit, deri në Korçë.Grey, pati një takim me ambasadorin Austro – Hungarez në Londër. Konti Albert von Mensdorff** do t’i bënte të ditur 4 kushtet e Autro – Hungarisë për zgjidhjen e çështjes ballkanike. Dy prej tyre kishin të bënin me Shqipërinë. Ai e informoi Greyn, se mendimi i Austrisë ishte që të hidhej poshtë pretendimi serb për të marrë territore deri në Adriatik. Austriaku tha midis të tjerave, që, nëse Serbia është mbështetur në parimin e kombësisë, nuk ka asnjë të drejtë të marrë territore të pastra shqiptare. Në qoftë se do të vepronte në këtë mënyrë, kjo do të ishte një shkelje e hapur e të drejtave shqiptare.

Pika e tretë kishte të bënte me Shqipërinë, së cilës i duheshin krijuar kushtet të zhvillohej e lirë. Kjo do të thoshte, që sipërfaqja e saj nevojitej të kishte një madhësi të mjaftueshme për të garantuar jetën si komb më vete. Në rast se do mbetej shumë e vogël, nuk do të kishte mundësi për të vazhduar ekzistencën e vet.

Këto dhe dy pika të tjera, që nuk kishin të bënin me Shqipërinë, austriaku i paraqiti si kushte për të siguruar interesat e Austro – Hungarisë gjatë rregullimit të çështjes ballkanike. Grey i tha ambasadorit austriak, se ishte një lehtësim i madh fakti, që Austro – Hungaria nuk po paraqiste pretendime territoriale.

– Kjo na heq në rrugën tonë një pengesë të madhe, – tha ai, dhe më tej u hodh tek çështja shqiptare.

Mensdorff, ishte një nga ambasadorët më të vjetër të Europës që shërbente pa ndërprerje në Londër. Ai ishte bërë si i shtëpisë dhe kishte afro 10 vjet, që nuk mungonte në asnjë prej aktiviteteve zyrtare, që organizoheshin në kryeqytetin britanik. Natyrisht, ndiqte një zakon të vjetër diplomatik. Ftesat e aktiviteteve i kërkonte një javë përpara, madje edhe të protokolloheshin nga sekretarja e ambasadës. Mensdorff ishte një burrë simpatik. Ngjasonte më tepër me aktorët e mëdhenj që luanin role heronjsh apo me piktura luftëtarësh besnikë. Dukej sikur flokët i kishte të lyera që në atë kohë, gjë që i jepte fytyrës së tij nuanca femërore, ndërsa mustaqet e trasha e burrëronin, duke e renditur tek meshkujt perfekt. Ai punonte si ambasador në Britaninë e Madhe që nga viti 1903, dhe shpesh thoshte se në gjysmën e qenies së tij ndihej londinez. Kjo edhe për faktin, që atë post ambasadori, para tij e kishte pasur i ati.

Mensdorff kishte hyrë në shërbimin e huaj austro – hungarez në vitin 1884 dhe ishte caktuar si një atashe në ambasadën e tyre në Paris. Pastaj u transferua në Londër në vitin 1889 dhe më 6 maj 1904 paraqiti kredencialet e tij, si Ambasador i Monarkisë së Dyfishtë. Mensdorrf respektohej shumë në qarqet aristokratike të Londrës dhe ishte mik personal i mbretit  Edward VII. Kjo lidhje e tij kontribuoi pozitivisht para luftës, në konsolidimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Austro – Hungarisë dhe Britanisë.

Gjatë bisedës me Greyn, Mensdorff vuri re se ministri britanik, duke lëvizur mbi letër stilografin e tij, u shpreh:

– Vështirësia më e madhe do të jetë përcaktimi i kufijve për një Shqipëri autonome. Krahas saj kemi për të diskutuar dhe çështjen, nëse Serbia do të ketë një dalje në Adriatik.

Grey informoi edhe ambasadorin anglez në Vjenë, F. Cartwright, lidhur me bisedat e asaj dite, në mënyrë që tjetri të ishte i orientuar në zhvillimet e mëtejshme. Por pa kaluar 24 orë, i ngarkuari serb në Londër kërkoi takim me Greyn. Sapo u ul në kolltukun e zyrës së Sekretarit të Shtetit britanik, i tha:

 – Si rezultat i Luftës Ballkanike dhe kushteve të krijuara, Pashiç mund të kërkojë “Serbinë e Vjetër”. Sipas tij, ajo përfshinte vilajetin e Kosovës, Sanxhakun e Novi Pazarit dhe pjesën veriperëndimore të vilajetit të Shkodrës. Brenda saj futeshin edhe portet e vjetër, të Durrësit, Shëngjinit dhe Lezhës.

Të gjitha këto, i ngarkuari serb i tha me shpejtësi, dhe, pasi mbaroi, ndjeu se po i merrej fryma. Ndërkaq në zyrë hyri punonjësja e shërbimit, që pyeti mysafirin serb për kafe, të cilën ai e refuzoi. Pastaj, duke kërkuar vëmendjen e Greyt, vazhdoi:

-Për shkak të pozitës gjeografike, Serbia nuk ka dëshirë t’u shmanget marrëdhënieve me Austrinë. Por as nuk mund të pranojë që të nënshtrohet deri në atë pikë, sa të jetë e varur ekonomikisht nga perandoria dualiste, – shtoi i ngarkuari serb. Më tej ai foli për shkëmbimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ku Austria nuk e kishte pranuar Serbinë në tregjet e veta. Ndërsa Serbia kishte bërë të kundërtën. Pra e kishte ndihmuar Austrinë. Duke treguar vështirësitë e tregut serb, ai i tha Greyt, se një port në Adriatik do të ishte shumë i rëndësishëm për Serbinë. Sipas tij, qeveria serbe e përjashtonte mundësinë e një porti në detin Egje. Kjo për faktin se nuk dëshironte të krijonte probleme me shtetet e tjera. Ndaj mundësia e zgjidhjes mbetej vetëm Shqipëria dhe portet e saj në Adriatik.

Grey po e dëgjonte me vëmendje.

-Është thënë se duhet të ketë një Shqipëri autonome, për shkak të ndjenjave kombëtare shqiptare, – tha ai dhe tundi kokën me një lloj ngërdheshje nënvleftësuese. Pastaj vazhdoi: – “Realisht nuk ka asnjë ndjenjë kombëtare shqiptare”.

Atë çast Grey, që ishte duke parë disa tituj gazetash, ngriti kokën sikur donte ta pyeste: “Po çfarë ka”?

-Ata kanë qenë të shtypur më përpara dhe rreziku që të shtypen përsëri ishte një arsye kundër autonomisë së Shqipërisë. Vetë shqiptarët janë të përçarë, sidomos në pjesën veriore. Ndërsa për Serbinë, një port në Adriatik do të thotë gjithçka ose asgjë. Serbia do të bëjë të gjitha përpjekjet dhe do të përdorë të gjitha mjetet për ta arritur atë që kërkon.

Tanimë i ngarkuari i Serbisë ishte skuqur krejtësisht në fytyrë. Njëra dorë i dridhej nga nervozizmi. Por Grey e qetësoi, duke e pyetur: Nëse Serbia do t’i marrë të gjitha këto që pretendon, po Mali i Zi, çfarë do të kërkojë?

– Nuk mund të them ndonjë gjë të përpiktë në këtë drejtim. Por ju siguroj, se puna është rregulluar në mënyrë që kërkesat serbe, të mos krijojnë probleme midis dy vendeve.

Pastaj Grey e pyeti në lidhje me kombësinë e shqiptarëve. Zyrtari serb i dha një përgjigje të ngatërruar, duke i nxjerrë ata me origjinë nga Serbia, por saktësoi që e kishte fjalën kryesisht për trevat veriore të Shqipërisë. Në fund të takimit, Grey i përsëriti formulën e kortezisë diplomatike duke i thënë, se ishte shumë i kënaqur që u njoh me pikëpamjet e qeverisë serbe në lidhje me pretendimet territoriale.

– Rregullimi praktikisht i gjithë dominioneve europiane të Turqisë, është një punë shumë e gjerë, – tha Grey. Hapi i parë është të mësojmë pikëpamjet e palëve të interesuara. Pastaj do të shohim divergjencat midis tyre dhe rrugët e mundshme të pajtimit, ¬- përfundoi ministri anglez.

Rusia dhe Franca mbështetnin kërkesat serbe për veriun e Shqipërisë dhe për Adriatikun. Austria ishte kategorikisht kundër. Anglia mbante më tepër një qëndrim asnjanës me tendenca proserbe. Ajo interesohej për gjetjen e një rregullimi territorial, që të kënaqte të gjitha palët.  Më 7 nëntor 1912, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë dha një pritje në ambasadën e tyre të Berlinit. Midis të tjerash ai do të deklaronte se një pikë e rrezikshme për rregullimin e pasluftës ishte kërkesa e Serbisë për daljen në Adriatik. Gjatë atij takimi, kreu i diplomacisë italiane shprehu kundërshtimin e Austrisë dhe të Italisë, se një rregullim i tillë mund të bëhej vetëm në kurriz të Shqipërisë. Por ai nuk ishte truall serb.

Ambasadori francez në Berlin e pyeti ministrin italian, se cila ishte pengesa për daljen në det të Serbisë? Kryediplomati italian i foli për marrëveshjen e fshehtë të vitit 1901 midis Italisë dhe Austrisë. Sipas saj, të dy shtetet zotoheshin të ruanin Shqipërinë të paprekur, nën flamurin turk. Dhe në rast se do të zhdukej ai flamur, ata duhet ta ruanin pavarësinë e Shqipërisë, duke mos lejuar pushtimin e saj nga asnjë fuqi tjetër, cilado qoftë ajo.

– Po çfarë pune prish dalja në det e Serbisë?- e ripyeti ambasadori francez.

– Më vjen keq, – tha ministri italian, por nëse Serbia do të mbante një pikëmbështetje në Shqipëri ajo marrëveshje do të rrëzohej. Baraspesha e fuqive në Adriatik do të përmbysej. Në këto kushte, Austria dhe Italia do të duhej të bënin rregullime të tjera, për të cilat ishte e pamundur të parashikoheshin pasojat. Prandaj është krejt e domosdoshme për paqen në Europë, që Serbia të heqë dorë nga dëshira e saj për të pasur dalje në Adriatik.

Me kaq takimi u mbyll dhe të ftuarit dolën një nga një. Ambasadorët nxituan të adresonin telegramet urgjente në kancelaritë e vendeve të tyre. Ndërkohë Italia kishte shpallur publikisht se fqinji më i vogël i Adriatikut do të mbrohej prej saj.

Provokacion serb në Berlin

I ngarkuari me punë i Serbisë në Berlin, më 7 nëntor, i transmetoi një mesazh të qeverisë serbe, sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme të Gjermanisë. Këkohej të bëheshin disa ndryshime formale në detajimin e kërkesës për dalje në Adriatik. Por këtë radhë sekretari gjerman ishte shumë i prerë. “Për këtë çështje, – u shpreh ai, – Gjermania është e detyruar të mbështesë Austrinë”. Më tej ai do të theksonte, se Austria kishte pasur një qëndrim mjaft pajtues. Madje, ajo kishte braktisur shumë nga aspiratat e mëparshme. E vetmja rezervë e saj ishte çështja për daljen e Serbisë në Adriatik. Qeveria serbe kishte hyrë në këtë rrugë fatale, por të paktën nuk duhej të përdorte një gjuhë të tillë, – kishte thënë diplomati gjerman.

– Ku është gabimi këtu? – pyeti i ngarkuari serb.

– Vetë kërkesa për një port në Adriatik është një gabim i madh. Austria dhe Italia janë kundër daljes në Adriatik të Serbisë, sepse kjo do të ndante Shqipërinë, – përsëriti sekretari gjerman.

Por serbi ndërhyri menjëherë duke e ndërprerë:

– Shqipëria nuk ka si të ndahet, sepse ne kërkojmë gjithë territorin shqiptar. Ai vend do të vazhdojë të jetë nën zotërimin tonë.

– Çfarë thoni kështu? Kjo është marrëzi! – tha i nervozuar kryediplomati gjerman.

– Nuk është marrëzi, por diçka që na takon, – tha serbi. – Planin tonë të hollësishëm ia kemi paraqitur Rusisë dhe ajo e ka miratuar.

Kjo ishte një gjuhë e rëndë dhe e ashpër për sekretarin e Shtetit gjerman. Ai e kuptoi, se ishte e njëjta gjuhë me atë të ambasadorit rus në Paris. Gjatë një takimi me baronin Szecsen*, ai i kishte thënë, që në rast se Serbia nuk do të merrte një dalje në detin Adriatik, për shkak të kundërshtimit të Austrisë, kjo do të kishte kuptimin e një poshtërimi të ri për Rusinë.

Dukej se situata po rëndohej. Por sekretari gjerman nuk kishte asnjë mëdyshje për qëndrimin e mëtejshëm të Gjermanisë. Pas këtyre debateve, i ngarkuari serb bëri pyetjen kryesore për të cilën kishte ardhur aty. Ishte një pyetje që vinte erë barut dhe gjak.

– A do të ketë Austria mbështetjen ushtarake të Gjermanisë?

Sekretari i shtetit gjerman iu përgjigj me qetësi:

– Nëse Serbia dhe miqtë e saj do të marrin mbështetjen ushtarake nga Rusia, atëherë Gjermania do të renditet me Austrinë. Përndryshe, jo!

– Po në rast se Rusia do të mbështetet nga Franca, a do ta ndjejë Gjermania përsëri se duhet të ndërhyjë?

– Sigurisht, sepse Austria po punon për një Shqipëri të pavarur dhe për këtë do të ketë mbështetjen e Gjermanisë.

Biseda e tyre, që vinte erë lufte, u mbyll me kaq. Kur i ngarkuari serb doli jashtë, sekretari i Shtetit gjerman hapi dritaren për të ajrosur mjedisin e zyrës. I dukej se aroma e zjarreve në ato momente ishte tepër afër.  Grey dëshironte të ndihmonte në zgjidhjen e këtij ngërçi ballkanik, por kishte paqartësi dhe komplekse në gjykimin e vet. Sugjeronte të shqyrtoheshin arsyet e kërkesës së Serbisë për një port në Adriatik, të shoqëruara me kundërshtimet e Austrisë. Kjo dukej qartë në letrën që i dërgonte ambasadorit të qeverisë së vetë në Paris. Në të thoshte, se kundërshtimi i Austrisë mund të vinte për shkak të frikës nga një bazë detare që mund të ngrihej në Adriatik. Pas kësaj, ajo mund të binte nën ndikimin e një fuqie të madhe, qoftë Rusisë, qoftë një shteti ballkanik federativ.  Kërkesa e Serbisë, sipas tij, ndoshta nuk kishte të bënte me ambicien detare. Mbase vinte nga dëshira për një dalje ekonomike të pavarur. Në rast se kjo analizë është korrekte dhe kundërshtimi i Austrisë apo kërkesa e Serbisë frymëzohen vetëm nga këto motive, mund të shihej. Konfliktet për secilën palë, sipas tij, dukeshin të thjeshta dhe të natyrshme. “Besoj se nuk do të ishte e pamundur të gjendej një zgjidhje, – shkruante Grej, – që të mënjanonte shqetësimin e Austrisë dhe t’i siguronte Serbisë atë që dëshiron”.  Ky ishte arsyetimi i kryediplomatit britanik. Dukej që ishte i gatshëm për të pranuar kërkesën serbe. Mbase sillej ashtu sepse ia donte pozicioni. Shqetësimi i Greyt për mosdaljen e Serbisë në det lexohej lehtë. Ai nuk thotë asgjë për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët ishin “pranë detit të palarë, pranë sofrës të pangrënë…”. Nuk thoshte asgjë për faktin, që Shqipëria po përgatitej për pavarësinë e vetë, ndonëse ishte njohur hollësisht me zhvillimin e ngjarjeve.

Në të gjitha veprimet e veta, Greyn e shqetësonin lëvizjet e Austrisë dhe Rusisë, prej të cilave parandiente gjithmonë intriga. Në telegramin që i dërgonte ambasadorit fuqiplotë të Anglisë në Sofje, Sir Bax – Ironsid, e përgëzonte për planin e fundit që kishte hartuar për zgjidhjen e çështjeve ballkanike. Sipas këtij plani, shtetet e Ballkanit duhej t’u kundërviheshin Fuqive të Mëdha, pa i ndarë territoret e fituara. Sipas tij, ky ishte një marifet origjinal për ta ndaluar Austrinë dhe Rusinë që t’i përçante vendet ballkanike. Por edhe në këtë letër Grey shprehte shqetësimin për daljen e Serbisë në Adriatik, ku as Austria dhe as Serbia nuk pranonin tolerime. Aty flitej edhe për Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha që do të mbahej së shpejti, ndonëse Grey ndjehej i lëkundur.  Në telegramin që i dërgonte ambasadorit britanik në Bullgari, Grey shkruante, se “nuk ma do zemra propozimin për të bërë një konferencë”. Sipas tij, në rast se rregullimi ishte i lehtë, ai mund të arrihej edhe pa një konferencë. Në qoftë se ishte i vështirë, një konferencë mund ta bënte edhe më keq. Përveç kësaj, përderisa shtetet e Ballkanit që ishin fitimtarët, nuk do të merrnin pjesë në një konferencë të tillë, ajo realisht nuk do ta kishte zgjidhjen në duart e veta. Për më tepër, ambasadorët britanikë në Europë shikonin si pjesë të problemit Austrinë, e cila nuk pranonte ndryshim të kufijve shqiptarë. Ndërsa Serbia që kërkonte me çdo kusht zgjerimin e kufijve të vet në territoret shqiptare, nuk përbënte ndonjë problem.

Në këtë linjë ishte dhe ambasadori britanik, F. Cartwringht. Ai i shkruante nënsekretarit britanik për Punët e Jashtme, A. Nicolson, se burimi më i madh i rrezikut që ekzistonte për mbajtjen e paqes në Europë, ishte xhelozia fatkeqe e Austrisë ndaj Rusisë. Më tej Cartwright shprehej pesimist. Sipas tij, ndonjëherë dukej se nuk kishte asnjë shpresë për të pajtuar qëllimet e kundërta të politikës austriake dhe asaj ruse në Ballkan.  Fuqitë e Mëdha dhe midis tyre Anglia, në vend që të qanin hallin e popujve të pafajshëm, bëheshin palë dhe kërkonin të plotësonin tekat e pushtuesve. Gjatë uzurpimit të trojeve shqiptare, vetëm në dy ditë ata kishin vrarë rreth 850 civilë të pafajshëm.

(Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP