Imzot George Frendo emërohet Arqipeshkëvi i ri i Tiranë – Durrësit

Arkidioqeza Metropolitane e Tiranë – Durrësit lajmëron me gëzim se Shenjtëria e Tij Papa Françesku sot me datë 17 nëntor 2016 ka emëruar Arqipeshkëv të kësaj Dioqeze Shumë të Nderuarin, Shkëlqesinë e Tij, Imzot George Frendo O.P., i cili deri tani ka qenë Administratori dioqezan i Selisë së Tiranë-Durrësit, pas kalimit në amshim të Arqipeshkëvit Imzot Rrok Mirdita.

Lajmi u dha sot në orën 12.00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë në praninë e meshtarëve, motrave dhe besimtarëve katolikë që gjendeshin në Katedrale. Njëkohësisht lajmi është bërë i ditur edhe nga Salla e Shtypit e Vatikanit dhe nga Gazeta Zyrtare e Vatikanit Osservattore Romano.

Imzot George Frendo, sikurse do të shihni edhe në skedën e tij biografike, ka shërbyer prej shumë vitesh në Shqipëri. Ka pasur një zell dhe pasion baritor për vendin tonë dhe popullin tonë të tillë që është bërë shpesh pikë referimi për të varfërit dhe për ata që kishin nevojë qoftë si famullitar në Durrës e më pas si Ipeshkëv Ndihmës dhe famullitar i Katedrales së shën Palit në Tiranë. Me një përgatitje teologjike dhe juridike të fortë, Imzot Frendo ka mbuluar detyra të rëndësishme në Dioqezën e Tiranë-Durrësit, por edhe në brendësi të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ka qenë ndër kujdesuesit dhe përthyesit e disa teksteve liturgjikë në gjuhën shqipe e në mënyrë të veçantë i mesharit të ri shqip.

Caktimi i Imzot Frendos si Arqipeshkëv është edhe një shenjë e dashurisë së Papës Françesku për Shqipërinë të cilën e ka treguar në shumë raste, qysh me vizitën e tij në shtator 2014, me firmosjen e dekretit të Lumninit të 38 martirëve dhe me emërimin e Dom Ernest Troshanit Kardinal. E tani, pikërisht në mbyllje të vitit të Jashtëzakonshëm Jubilar të Mëshirës, Papa i dhuron dioqezës tonë një bari që do ta udhëheqë në vitet e ardhshme.

Dioqeza e Tiranë – Durrësit shpreh gëzimin e saj dhe bindjen se Arqipeshkëvi i ri do të jetë një bari i mirë për dioqezën tonë dhe një udhëheqës që do të dijë të dialogojë me botën dhe sidomos me konfesionet e tjera të krishtera e me religjionet e tjera të pranishme në Shqipëri.

Nesër me datë 18 nëntor 2016 në orën 12.00 Arqipeshkëvi i ri i emëruar do të ketë një takim me mediat në Selinë e Arqipeshkëvisë së Tiranë-Durrësit.

Kush eshte GEORGE FRENDO O.P.? 

At Gjergji (emri i pagëzimit Antonio) ka lindur më 4 prill 1946 në Qormi, Maltë (i pesti në një familje prej shtatë fëmijësh). Pasi përfundoi studimet follore dhe të mesme, hyri në Urdhrin e Predikatarëve apo Dominikan, në vitin 1962 dhe në vitin 1963 bëri kushtet e para. Ndoqi studimet për filozofi e teologji pranë Kolegjit Filozofik- Teologjik Sancti Thomae Aquinatis në Rabat, të Maltës. Kushtet e përjetshme në prill 1967 dhe u shugurua meshtar më 7 prill 1969.

Studimet dhe mësimdhënia

Është diplomuar si Lektor në Teologji të Shenjtë, me tezën Pagëzimi si Sakramenti i Fesë në Doktrinën dhe praktikën e Kishës. Ka vazhduar pastaj studimet në Pontificia Universitas Sancti Thomae Aquinatis në Romë, në Fakultetin e të Drejtës Kanonike, e në vitin 1973 u diplomua në Drejtën Kanonike me tezën Pazgjidhshmëria dhe Divorci në Teologjinë e Teologëve të shekullit të 13-të. Me t’u kthyer në Maltë nisi menjëherë të japë Teologji dogmatike pranë Kolegjit Domenikan Filozofik-Teologjik Sancti Thomae Aquinatis, duke dhënë disa kurse të Teologjisë Dogmatike (mbi sakramentet e Inicimit dhe Eskatologjinë) në Fakultetin e Teologjisë në Maltë dhe një kurs mbi Ateizmin Bashkëkohor në Seminarin e Gozës. Në Shqipëri ka dhënë Teologji Trinitare dhe Kristologji në Seminarin Ndër-dioqezan në Shkodër.

Zyrat Dominikane

1974-1979: Mësues i rishtarëve dhe studentëve

1979-1981: epror kuvendi

1981-1989: famullitar në një famulli domenikane në Maltë

1989-1997: Provincial i Dominikanëve në Maltë

1992-1996: Kryetar i Konferencës së eprorëve të lartë në Maltë

Zyrat e Arqidioqezës së Maltës

1974-1976: Defensor Vinculi i Gjykatës së Shkallës së Parë

1976-1980: Defensor Vinculi i Gjykatës Ndër-Dioqezane së shkallës së dytë

1980-1989: Gjyqtari i Gjykatës Ndër-Dioqezane të shkallës së dytë.

Anëtar i Komitetit të ngritur nga Konferenca Episkopale malteze për të hartuar rregullat plotësuese pas shpalljes së Kodit të ri të Ligjit Kanonik.

Detyrat ne Kishen e Shqipërisë

1997-1999: Përgjegjës për përgatitjen e standardeve plotësuese pas shpalljes së Kodit të ri të Ligjit Kanonik.

1998 -: Vikar i Përgjithshëm i arqidioqezës Tiranë-Durrës

1999-2005: Kryetar i Konferencës së eprorëve më të lartë në Shqipëri

2001-2006: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm evropian të UCESM

2001 – 2006: Vicarius Judicialis i Gjykatës Ndër-Dioqezane (e shkallës së parë)

Nga 23 shtator 2006: ipeshkvi ndihmës i Tiranës.

Në vitin 2007 ai u emërua anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Është autor i disa librave të natyrës doktrinore apo shpirtërore (si p.sh., mbi Eukaristinë, sakramentet, Marinë e Shenjtë, tre librave mbi temat për tre vitet e përgatitjes për jubileun e madh, familjen, një sintezë të Katekizmit të Kishës Katolike, adhurimin eukaristik, etj).

Ka pasur gjithashtu përvojë për shumë takime ndërkombëtare, si epror provincial i Dominikanëve në Maltë, ashtu edhe si president i Konferencës së Eprorëve më të lartë në Maltë dhe Shqipëri, qoftë si anëtar i Ekzekutivit të Unio Conferentiarum Europearum Superiorum Maiorum, ashtu edhe si një delegat në emër të Konferencës Ipeshknore Shqiptare.

Aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore dhe deri ne emerimin e tij si Arqipeshkev i Tirane-Durresit ka qene Administrator dioqezan i Arkidioqezes Tirane-Durres.

SHKARKO APP