Bunk’art 2 nostalgji e diktaturës? Rama: Vizitojeni dhe mos flisni (VIDEO)

Ceremonia e inaugurimit të Bunk’art 2, një muze dëshmi e gjallë e torturave të diktaturës komuniste në vendin tonë, nisi paraditen e sotme.Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përurimi i këtij muzeu të nëndheut të diktaturës komuniste, nuk është rastësisht edhe pjesë e programit në kuadër të Samitit të Diasporës.

“Bashkatdhetarët tanë nuk ka si të mos jenë po aq dëshmitarë të historisë së vendit të tyre të prejardhjes e cdo pjese të saj. Nëse nuk e gjejmë të natyrshëm motivimin, nuk do e gjejmë shtysën që lypset për të qenë partizanë të së ardhmes, në kundërshtim me c’mund të mendojë ndokush historia nuk riciklohet”- tha Rama.

Kreu i qeverisë i ka dhënë përgjigje gjithë atyre që e kanë quajtur ngritjen e tij një risjellje nostalgjike të dhunës së të shkruarës, apo si homazh për diktaturën, por një dëshmi e gjallë dhe shlyerje detyrimi për gjithë viktimat e terrorit.

“Ky bunker është hyrja në të parin memorial, i konceptuar mbi themel kushtuar kujtimit me mendje, zemër dhe sy viktimave të terrorit komunist, ndaj kushdo që ka folur në hava e gratis se ky është një bunker për të risjellë në formë shprehje nostalgjie dhunën e të kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin sipër ka detyrimin moral të vijë dhe ta vizitojë dhe të qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e 25 vjetëve kanë një hapësirë tu flasin njerëzve direkt, jo mes të tretëve”-tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe dosjet dhe foli për “disa që i tremben hapjes së tyre”. “Dosjet për të cilat kanë ende frikë, makth dhe pafuqi të trishtueshme disa që i tremben edhe bunkerit edhe muzeut poshtë, njësoj si korbat i tremben një dordoleci”, u shpreh ai.

Në këtë muze të pagëzuar me emrin “BunkArt 2”, si vazhdimësi e “BunkArt 1”, Rama tha se mund të shihet sesi mijëra të pushkatuar përmes gjyqeve të montuara, kanë rigjetur një identitet, edhe pse shumë prej tyre nuk dihet ende ku kanë eshtrat. Kryeministri ftoi veçanërisht të rinjtë që ta vizitojnë atë për t’u njohur me të shkuarën.

“Është një muze për ata që lindën ditën kur u shemb bunkeri i diktaturës dhe që e kanë të pamundur të krijojnë një ide të qartë duke dëgjuar historitë e të tjerëve”, tha Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154202180446523/

SHKARKO APP