Albin Kurti: Qeveria e Shqipërisë nuk duhet ta lërë vetëm Kosovën
Albin Kurti deputet i Lëvizjes Vetëvendosje flet në “Koha Jonë” për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, arrestimi i Haradinaj, negociatat në Bruksel dhe një apel për Tiranën
Intervistoi: Marjana Doda
Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se janë të gjitha gjasat për një konflikt të ri mes shqiptarëve dhe serbëve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kurti shprehet se sot në Beograd janë në pushtet të gjitha forcat politike që ishin në kohën e Sllobodan Milosheviçit. Ndërsa shton se edhe rritja e shpenzimeve ushtarake të Serbisë flet për mundësitë e një konflikti. “Serbia është duke u militarizuar ndërkaq ndikimi rus është duke u shtuar. Buxheti vjetor i Serbisë për ushtrinë e saj është 500 milionë euro. Sivjet ajo ka ndarë edhe 300 milionë të tjera për armatim të ri dhe mirëmbajtje të tij. Bosnja, Kosova, por edhe Mali i Zi janë në rrezik nga Serbia. Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen për fatin e mirë të kombit shqiptar”,- shprehet Kurti. Tensionet e kohëve të fundit me murin në Mitrovicë, arrestimin e Ramush Haradinajt dhe treni serb, sipas Albin Kurtit flasin për një ringritje të nacionalizimit shovinist serb me ndihmën e Rusisë. I pyetur për rolin që duhet të luajë Tirana zyrtare në lidhje me Kosovën, Kurti shprehet se, shteti shqiptar duhet të mbledhë shqiptarët anembanë kufijve,pasi Kosova është tejet e rëndësishme për t’ia lënë atë vetëm qeverisë së Kosovës.
Z.Kurti ditët e fundit shënuan një përshkallëzim të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas nisjes së trenit serb të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicë, që megjithatë nuk hyri në Kosovë. Sa e kërcënojnë këto tensione paqen në Kosovë dhe rajon?
Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe me Kushtetutë e konsideron atë pjesë të saj. Asimetria në nisje të negociatave, e vazhduar me asimetrinë në proces nuk mund të rezultojë me simetrinë në rezultat. Serbia po homogjenizohet së brendshmi dhe kjo e ka shtuar hegjemoninë e saj së jashtmi. Tensionet aktuale janë pasojë. Të gjitha forcat e kohës së Milosheviçit janë kthyer në pushtet në Beograd veçse kësaj radhe praktikisht nuk kanë opozitë.
A është dështim për Kosovën, arrestimi i Haradinaj dhe lënia në fuqi e urdhër-arresteve ndërkombëtare nga ana e Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së?
Po. Qeveria e Kosovës është pasive ndaj regjimit antishqiptar të Serbisë dhe aktive kundër neve opozitës në Kosovë. Sepse atyre më shumë iu intereson pushteti mbi Kosovën sesa shteti i Kosovës.
Çfarë do të thotë për ju, ndërtimi i murit në Mitrovicë, ndërkohë që, vijojnë negociatat në Bruksel. A kanë dështuar negociatat dhe kujt i faturohet ky dështim?
Negociatat kanë dështuar për Kosovën, por jo edhe për Serbinë. Sepse negociatat ishin vetëm për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë tek, e cila nuk ka keqardhje dhe pendesë për krimet nga e kaluara. As që u shkon ndërmend të na kërkojnë falje. Në vitin 2006 Serbia e ka aprovuar Ligjin i cili i barazon çetnikët dhe partizanët kurse në vitin 2008 e ka aprovuar Ligjin për rehabilitimin e çetnikëve. Derisa të janë në pushtet Vuçiç, Daçiç e Nikoliç në Serbi nuk është i mundur ballafaqimi me të kaluarën. Në vend se ne t’ua bëjmë një mur politik e moral këtyre kriminelëve të luftës agresore, ata na e ndërtojnë tash murin fizik në Mitrovicë.
Pse nuk e kemi parë VETËVENDOSJE!-n aktive si në rastin e demarkacionit, për ndërtimin e murit në Mitrovicë, si dhe në rastin e provokimit serb me trenin nacionalist?
Ne kemi reaguar të parët dhe qysh herët. Ne kemi paralajmëruar këto ngjarje që nuk do të duhej të ndodhnin, por ja që moskokëçarja e qeverisë i mundësoi e lejoj ato. Treni e muri nuk ndalen me protesta në Prishtinë, por me mekanizma shtetërorë që kjo qeveri i përdor kundër VETËVENDOSJE!-s, por jo kundër Serbisë. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s muri as që do të lejohej të ndërtohej.
Duke parë gjithë këto zhvillimeve dhe tensione në rajon, a rrezikon rikthimi i një konflikti të hapur në Ballkan?
Po. Serbia është duke u militarizuar ndërkaq ndikimi rus është duke u shtuar. Buxheti vjetor i Serbisë për ushtrinë e saj është 500 milionë euro. Sivjet ajo ka ndarë edhe 300 milionë të tjera për armatim të ri dhe mirëmbajtje të tij. Bosnja, Kosova, por edhe Mali i Zi janë në rrezik nga Serbia. Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen për fatin e mirë të kombit shqiptar.
Është komentuar gjatë në Prishtinë dhe Tiranë, qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama në raportet me Serbinë. Afrimi i Tiranës zyrtare me Serbinë, e ka ndihmuar apo dëmtuar pozicionin e Kosovës?
Duhet të shikojmë përpara në këto kohëra vendimtare për vitet e ndoshta edhe dekadat në vijim. Qeveria dhe shteti shqiptar duhet të mbledhë shqiptarët anembanë kufijve që na ndajnë padrejtësisht dhe njëkohësisht të fuqizojë aleancën rajonale me Zagrebin, Sarajevën dhe Sofjen. Kosova është tejet e rëndësishme për t’ia lënë atë vetëm qeverisë së Kosovës. Qeveria e Shqipërisë duhet ta ketë parasysh këtë.
A nuk është pak i tepruar nacionalizmi që predikon VETËVENDOSJE!, në një kohë kur Ballkani po përpiqet të zbusë atë, duke synuar BE? Pse keni zgjedhur këtë rrugë ekstreme të të bërit politikë, përmendim këtu hedhjen e gazit në Parlament, kur duket se rajoni nuk ka nevojë për to?
Ne nuk jemi ekstremistë për nga karakteri por radikalë për nga tema në një situatë që është ekstreme. Nacionalizmi hegjemonist e shovinist serb në Ballkan po ringrihet me ndihmën e Rusisë. Nacionalizmi ynë është anti-kolonialist e çlirimtar për barazi midis popujve. Pas luftës së dytë botërore, shtetet e ndryshme evropiane njëmend i kanë normalizuar marrëdhëniet me njëra-tjetrën, por vetëm në kushtet kur nuk kishin më pretendime territoriale dhe kishin njohje reciproke. Kosova dhe Serbia janë shumë larg asaj situate.
Nuk mendoni se metodat e zgjedhura gjithmonë nga VETËVENDOSJE! për të bërë opozitë, më shumë i kanë ulur pikë shtetit të Kosovës dhe në mënyrë të tërthortë duket se i kanë shërbyer Serbisë, pikërisht duke tensionuar klimën politike në Kosovë?
Përkundrazi. Ne kemi sprapsur planin e Serbisë për bosnjëzimin e Kosovës të cilin ajo e synonte nëpërmjet Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë (‘Zajednica’) të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Bashkësinë e 14 komunave të tyre në Bosnje, me planifikimin dhe ndihmën e Beogradit, serbët atje e formuan më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ata e shpallën pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratuan kushtetutën e tyre. Ndërkombëtarisht kjo u njihet me 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Dayton-it, pas negociatave të cilat për çështjet e brendshme të Bosnjës, Alija Izetbegoviç i zhvilloi me Milosheviçin dhe Tugjmanin në Ohio të SHBA-ve. Ajo që u arrit në Bosnje dhe Hercegovinë përgjatë luftës e me luftë për katër vite e gjysmë, në Kosovë donin të realizohet më ngadalë në paqe. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ikte për më pak se gjysmë ore, kurse po të instalohej largqoftë ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë, ajo do të ngelej gjysmë shekulli. ‘Zajednica’ do t’i kishte: territorin, popullsinë, vetëqeverisjen dhe të drejtën për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët. Në fakt, këto janë katër kushtet për të qenë shtet sipas Montevideos në vitin 1933. Ne nuk mund t’i lëshojmë pe Mustafës e Thaçit në Kuvend sepse ashtu do t’i binte që i lëshuam pe Serbisë!
Nuk ju kemi dëgjuar se fundmi ta përdorni tezën e “Bashkimit Kombëtar me Shqipërinë”?
E kemi në Programin Politik e në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes sonë. E themi dhe angazhohemi vazhdimisht për të.
Si e shikoni të ardhmen e Kosovës, me zgjedhjen e Donald Trump President të SHBA-ve?
Ftesa e Presidentit Trump për miqësi me Putinin nuk ka të bëjë me miqësinë e SHBA-ve me Rusinë sa me rrezikun që SHBA-të e shohin nga Kina. Trump synon ta ndalë ngritjen e Kinës. Nëse ish-Presidenti George W. Bush aspironte njëlloj diferencimi të islamistëve ekstremistë prej atyre të moderuar, Presidenti aktual Donald Trump duket që aspiron ta ndajë Kinën prej Rusisë, përkatësisht ta ndajë atë që njihet si blloku BRIC i shteteve. Shqiptarët dhe Kosova duhet ta materializojnë e konkretizojnë urgjentisht partneritetin dhe aleancën me SHBA-të me fuqizimin e ushtrisë dhe bashkëpunimin ekonomik e jo të mjaftohen me deklarata miqësie e vizita simbolike politikanësh.