LSI denoncon Kryeministrin: Edi Rama, deklaratë skandaloze për policinë

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka denoncuar sot Kryeministrin Edi Rama si politikanin që po bënë veprime antiligjore në fushatën elektorale.

Në një konferencë për mediat dhënë mbrëmjen e sotme, Luan Rama tha se Edi Rama u bëri thirrje antiligjore efektivëve të policisë që të përfshihen në fushatë elektorale.

“Kryeministri i Rilindjes urdhëroi Policinë e Shtetit të mbledhëë vota për Rilindjen! Thirrja e Kryeministrit që policia të mbledhë vota për Rilindjen është e paligjshme!”,- tha ai.

Luan Rama u bëri thirrje efektivëve të policisë të zbatojnë ligjin dhe të mos ndikohen nga deklarata të papërgjegjshme politike. Ai shtoi se ligji për Policinë e Shtetit nuk lë vend për asnjë keqkuptim kur thotë se policia është e depolitizuar dhe i ndalohet pjesëmarrja në aktivitete politike, gjatë dhe pas orarit zyrtar të punës.

“Rilindasi që premton të bëjë shtet urdhëron policinë të shkelë ligjin! Policia e shtetit të distancohet nga thirrja e paligjshme e Kryeministrit! Asnjë polic të mos guxojë të shkelë ligjin duke mbledhur vota për Rilindjen se nuk do të ketë rilindas që mund ta shpëtojë nga ndëshkimi i ligjit”,- tha Luan Rama.

SHKARKO APP