Kryeministri i futi në “listën e zezë”, Adriatik Llalla shkarkon dy prokurorë

Ka ardhur reagim i parë institucional pas publikimit të 100 emrave të zyrtarëve të administratës të cilët, sipas ankesave anonime të qytetarëve në Facebook-un e Kryeministrit Edi Rama, kanë abuzuar me detyrën.

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka liruar nga detyra mbrëmjen e sotme dy prokurorët, Kol Hysenaj dhe Hysni Vata që ishin në listën e 30 emrave nga sistemi i drejtësisë. Hysenaj është drejtues në prokurorinë e rrethit të Korçës, ndërsa Vata drejtues në prokurorinë e Laçit.

Emrat e dy prokurorëve janë listuar mes 30 gjyqtarëve dhe prokurorëve që Edi Rama i ka klasifikuar të si zyrtarë që kanë shkelur detyrën.

Edhe pse çdo denoncim ka specifika të veçanta, lista e publikuar në rrjetet sociale nga Edi Rama ka sjellë kundërshtime nga shumë qytetarë dhe partitë politike. Lista paraqet emrat e 100 zyrtarë që sipas Ramës kanë abuzuar me detyrën. Por provat për këto abuzime janë marrë nga denoncime anonime në Facebook të qytetarëve. Edhe pse mund të kenë të drejtë qytetarët, është e paqartë sesi është verifikuar fajësia e secilit zyrtar.

Lista e publikuar nga Edi Rama u komentua dhe nga kreu i PD-së në detyrë, Lulzim Basha. Ai tha se Edi Rama po sillet si diktatori Enver Hoxha. “Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rrjesht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie. Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës”,- u shpreh Lulzim Basha.

Reagime të forta për listën e Ramës kanë ardhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka cilësuar listën e zyrtarëve të publikuar nga Edi Rama në Facebook si një taktikë për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale që ka sot vendin. Kryemadhi shprehet se Rama po tenton të anashkalojë faktin se më 25 qershor votat u vodhën dhe manipuluan nga Rilindja. “Me lista false dhe me veshje që të tërheqin vëmendjen nuk mund të anashkalosh vjedhjen e votës që i bëri shqiptarëve. Ndaj i kujtoj Edi Ramës se llogaria do të jepet dhe askush, asnjëherë dhe në asnjë moment, nuk do të mund ta largojë vëmendjen dhe qëllimin tonë final: Të drejtën e shqiptarëve për të votuar lirshëm dhe pa presion politik, kriminal dhe të blerë me paratë e drogës”,- shprehet Kryemadhi.

 Gjithashtu edhe zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka reaguar për listën e publikuar nga Kryeministri Edi Rama për zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën, sipas denoncimeve në Facebook. Luan Rama shprehet se kjo listë e sajuar me spiunlliqe dhe sipas modeleve komuniste të fletërrufeve tregon se kemi një Kryeministër të papërgjegjshëm. “Papërgjegjshmëri dhe abuzim!  Këtë dëshmon Kryeministri i Rilindjes me të ashtuquajturën listë të njerëzve të denoncuar për abuzim me detyrën! Një dacibao e shëmtuar e sajuar prej atij vetë, duke përdorur modelin e gardistëve të kuq, të ca spiunëve anonimë e të pashkollë që ndërsente timonieri i madh Mao në kohën e revolucionit kulturor në Kinën komuniste të fundviteve ’60 te shekullit te kaluar!”,- shprehet Luan Rama.

LEXONI EDHE:

EMRAT/Ja zyrtarët që janë denoncuar nga Rama për abuzime

Daci-Baot e Kryeministrit Rama

SHKARKO APP