Basha: Zgjedhjet u manipuluan. Ministrat e PD u sabotuan
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot për raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet. Në një shënim të gjatë në Facebook, Basha shkruan se dokumenti i teknikëve provon manipulimin e zgjedhjeve.
“Raporti dëshmon se në këto zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës: u ble vota me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave. Në zgjedhje u aktivizuan kriminelët, u përdorën paratë e drogës, dhe paratë e korrupsionit qeveritar. U përfshi administrata dhe u përdorën mjetet dhe burimet publike”,- shprehet Basha.
Kreu i PD-së deklaron se beteja e opozitës dhe selisë blu për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të vazhdojë.
Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:
“Raporti i ministrave teknikë është dëshmia më e fundit që provon se zgjedhjet u manipuluan. Ky raport plotëson panoramën e denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve nga çdo faktor publik vendas dhe i huaj.
Raporti dëshmon se në këto zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës: u ble vota me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave. Në zgjedhje u aktivizuan kriminelët, u përdorën paratë e drogës, dhe paratë e korrupsionit qeveritar. U përfshi administrata dhe u përdorën mjetet dhe burimet publike.
Ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare. E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Është fakt: Zgjedhjet u dhunuan dhe manipuluan nga Edi Rama dhe makineria e tij e pushtetit e ndihmuar nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit.
Pasojat e 25 qershorit po ndihen çdo ditë. Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve por shitblerjen masive të votës dhe përdorimin e kontigjentit kriminal dhe parave të drogës të cilët janë sot varrmihësit e demokracisë së brishtë shqiptare.
Partia Demokratike respektoi lirinë dhe vullnetin e zgjedhësve dhe nuk u përfshi në asnjë përpjekje për ndikimin apo manipulimin e votës në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme. Partia Demokratike zhvilloi një fushatë qytetare të frymëzuar nga njerëzit dhe të përqëndruar tek njerëzit, nevojat dhe aspiratat e tyre.
Në këto zgjedhje Partia Demokratike dha një kontribut të rëndësishëm për demokracinë dhe për vendin duke vendosur standardin që duhet të përqafojnë të gjithë partitë politike për fushatat elektorale nëse duam që në vend të ketë demokraci dhe pushtet të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit.
Reformimi thellësor i sistemit zgjedhor, përfshi votimin dhe numërimin elektronik, është prioritet i Partisë Demokratike.
Partia Demokratike qëndron e palëkundur në bindjen e saj se vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik, për të risjellë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve; për të garantuar të drejtat e individit dhe kontrollin demokratik të pushtetit nga opozita; për ta vënë politikën në shërbim të njerëzve dhe jo anasjelltas. Demokratët janë të vendosur për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike për të ardhmen e vendit.
Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe një demokracie funksionale kërkojnë përfshirjen e gjithë shoqërisë, duke filluar me vetëdijësimin se shkelja dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve është jo vetëm dhunim i një të drejte themelore njerëzore dhe politike, por edhe shkaku kryesor i keqqeverisjes dhe arrogancës politike që vuan vendi ynë prej kohësh”.
Dokumenti/Raporti i plotë i ministrave teknikë të PD-së, për zgjedhjet e 25 qershorit