Diplomati Mal Berisha, në 65 vjetorin e tij: Krenar që jam nga Tropoja, nga Malësia e Gjakovës, nga Shqipëria!

Të shtunën, diplomati dhe historiani i njohur, Mal Berisha ka mbushur 65 vjeç. Një moment i bukur, tepër emocionues dhe i rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij profesionale të cilën e ka ndarë me miqtë, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe të gjithë Shqipëtarët kudo që gjenden në Shqipëri e jashtë kufijve nëpërmjet një statusi në Facebook e tij zyrtar.

Një rrëfim i fuqishëm jetësor që të befason tek përmbledh aq mjeshtërisht 65 vite ndërsa bëhet edhe më i veçantë ndërsa shoqërohet me foto që reflektojnë momente më reale se realiteti dhe kupton se përse ky Njeri në radhë të parë e më pas diplomat është ai që është sot e përgjithmonë. Ai lartëson prindërit e tij të cilën e sollën në këtë botë në të njëjtën datë kur lindi edhe  Shën Nanë Tereza – pikërisht 26 gusht ndërsa shpreh hapur dashurinë e pafundme për natyrën si “ndikuesi më i fortë i natyrës njerëzore të krahinës time, ku ngjizen dhe harmonizohen epika, bukuria shpirtërore dhe fizike, impulset, energjitë, trimëria, zgjuarsia, shpesh herë nxitimi, arësyetimi i shëndoshë, por edhe vendimet e menjëherëshme, aksionet racionale, por edhe ngutja në vendim.”

Gjithashtu, ai nënvizon se është krenar që “përvoja e fundit e jetës time aktive në punë i shërben një kompanie të madhe, pronë e një tropojani që sot është figura me e njohur dhe më e suksesshme e biznesit shqiptar, SIGAL UNIQA Group Austria, z Avni Ponari dhe ku? Bash në Kosovën tonë të dashur!”

Më poshtë postimi i plotë i Z. Mal Berisha në Facebook:

 —

26 gusht 1952 – Gjithçka për mua filloi këtu, si sot 65 vjet më parë

Nga Mal Berisha

Në brendinë e këtij pylli gështenjor, në sfond, dikur gjëndej një shtëpi ku gëlonte jeta. Aty jetonin burra, gra, djem e vajza, nuse të reja që prisnin të bëheshin nëna, të rinj që po burrëroheshin e prisnin të martoheshin… Pikërisht aty, me datën 26 Gusht 1952, nëna ime e dashur Sibja, i fali djalin e parë babait tim tani të ndjerë, Bajramit, i cili atë kohë sapo ishte veshur me uniformën e ushtarit të Republikës.

Askush nuk e dinte atë botë se ajo ditë dikur do të ishte ditë e shënuar për tërë njerëzimin. Madje rrallëkush e dinte deri pas vitit 1990 se 42 vjet më parë në të njejtën ditë kishte lindur ajo që sot është shenjtore, Shën Nanë Tereza.

Çfarë koincidence fatlume!

Heronjtë e jetës time jane babai dhe nëna ime, në foton e parë, të cilët bënë të pamundurën për shkollimin tim i cili më hapi dyert e jetës. Prandaj iu jam mirenjohes per jetë.

Fëmijëria ime ishte e zakonëshme në atë pyll fantastik gështenjash ku buka “bëhej në degë” siç thonë ata që gështenjën e përdorin jo vetëm si frut. Vështirësitë e jetës herë i shtonte e herë i pakësonte natyra, herë e egër e herë joshëse, në atë vend alpin – malor. Sapo dilje në oborrin e shtëpisë, pamja e parë që të kapte syri ishte Shkelzeni (Shkelqen) Madhështor. Në verë ai ishte hije rëndë, impozant, gjigand, mbresëlënës, imponues, tërheqës për t’ju ngjitur deri në maje… Në dimër, i zbardhur nga bora, i hijeshëm, që të mrekullonte me bukurinë e vet. Dita çelte heret me shndritjen e majës së Shkelzenit nga rrezja e parë që Dielli lëshontë nga Lindja që vinte nga Kosova e fortdëshiruar. Vështrimi i një fëmije përhere mbetej i shtangur nga madhështia e tij. Më pas vinte dita e mbushur me hijet që lehtësonin vapen në verë, ndërsa në dimër me rréhét (udhët e çelura nëpër borë) të hapura nga të mëdhenjtë për të çarë mes për mes “tunelit” të bardhë drejt shkollës “Asim Vokshi”. Fusha e Tropojës, pemtoret me lloj lloj frutash, ku dominonte kumbulla tropojane, e zbusnini atë natyrë të cilën do ta kishin zili tërë banorët e Alpeve, kudo në botë.

Ai mjedis nuk kalonte dot pa lënë gjurmët e veta në karakterin e njerëzve. Epika madhështore, Kënget e Kreshnikëve, lahutarët me kanget “Fort po shndrit njaj Diell e pak po nxe”, kënget e trimave për luftërat pa mbarim në Malësi të Gjakovës e në Kosovë, “Col Delia sy sahati, i lumtë goja mirë vikati, vetë po shkoi Pashën po e çarti”, përbënin kontrast me e lirikat e rralla. “Moj bardhokë, bardhokë e bardhë” apo “Në drrasë të vekit kush po kan…?”

Ishte dhe është ai mjedis i Malësisë së Gjakovës që kishte rritur burra e gra që i dolën zot vatanit si Binak Alia, Col Delia, Zeqir Halili i Prifçit, Zylë Hysenja e Koraqit, Cuce Avdylja e Geghysenit, Ali Ibra i Nezajve, Haxhi Zekë Byberi, Bajram Curri e sa e sa tjerë të gjithë luftëtarë e pleqnarë që i bënin dritë atij vendi. Aty kishin gjetur strehë burrat e Kosovës dhe kryengritjet e tyre anti-osmane e kishin bazën po në atë malësi. E kjo traditë vazhdoi deri tek lufta e fundit e UÇK – së, krejt në traditën e mëparshme.

Fëmijët aty rriteshin me epikën e piskamës së burrave që lëshonin kushtrimin, me zërin e vajatoreve që i qanin trimat, më këngët e legjendave, por edhe me ritmin e tupanit që të “ngre peshe në ajër”, me zërin jehues të grave që zbukuronin dasmat, “Ngjitet kana pika pika…” e sa e sa tjera.

Ndërkohë që rritesha, malsorët e mi më bënin përherë e më krenar për prejardhjen time. Po rritesha duke u krenuar për poetët, piktorët, valltarët, muzikantët, artistët, krijuesit, këngëtarët, studjuesit, profesorët, doktorët, edukatorët, fizikantët, inxhinjerët, pedagogët që bënin çdo ditë emër në aradhën e intelektualevë shqiptare e më gjërë.

Më vonë u bënë politikanët e krahinës time ata që i dolën ballë përballë diktaturës, e sfiduan atë, i hapën udhën demokracisë, e transformuan Shqipërinë dhe i dhanë dhe i japin nder jo vetëm Malësisë së Gjakovës por mbarë kombit.

Me rastin e parë të dhënë për inisiativën e lirë, pas rënjes së komunizmit, ishin bashkëvendasit e mi që ndërtuan kompanitë më të suksesshme të kapitalizmit në Shqipëri. Ato janë sot pika referimi në kryeqytetin tonë, Tiranë, si kullat më të larta dhe më të njohura duke u bërë histori të vërteta suksesi të tregut të lirë.

Edhe pse fëmijëria ime në atë vend të bukur u ndërpre shumë shpejt, imazhet e asaj kohe më mbetën përherë në sy dhe në mëndje: Pylli i bukur i Kojelit bashkëjeton në një dialog të përjetshëm ballë përballë me gjigandin Shkëlzen.

Kujtimet e fëmijërisë lidhen më shumë se me çdo gjë me shkollën. Pata fatin të isha nxënës i shkollës 8 vjeçare “Asim Vokshi” Tropojë, aty ku kanë mësuar figura të shquara që jetonin në një rreth jo më larg se 1 km nga njëri tjetri dhe nga familja ime. Në mes tyre spikatin:

  • Profesor, Dr. Sali Berisha, Presidenti dhe Kryeministri i ardhshëm I Shqipërisë, ish-nxënësi, studenti, mjeku kardiologu, pedagogu, profesori,i shkëlqyer, antari i Bordit drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe më vonë politikani që e drejtoi Shqipërinë drejt demokracisë, ekonomisë së tregut dhe botës së lire,
  • Profesor Arif Gashi, studenti më i shkëlqyer shqiptar në Moskë, i cili më vonë ra ndesh me diktaturën dhe përfundoi në burgjet e egra komuniste,
  • Profesor Zenun Mulaj, një ndër pedagogët dhe fizikantët më të ditur në Shqipëri, i urti dhe njerëzori: ish student i Universitetit të Shën Petërburgut, mësimdhënësi më i edukuar që auditoret shqiptare kanë parë në fakultetin e Shkencave, në Tiranë,
  • Poeti i shquar, Avni Mulaj autori i veprave poetike, letrare dhe dramatike “Valbona e Kaltër” “Orët e Mia”, “Currila”, “Gërsheti i luftërave” kushtuar Shote Galicës, për të përmendur vetëm disa,
  • Mjeshtri i Madh i Poezisë, Hamit Aliaj, i njohur për poezitë e tij aq të bukura,
  • Edukatori, Osman Islami, Ylli i Shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka” i cili iu nënshtrua persekutimit mizor të diktaturës vetëm pse e donte Kosovën dhe degjonte Radio Prishtinën.

Vitet kaluan dhe pas shumë ecejakesh, sukseshesh por dhe peripecishë, jam përsëri krenar që përvoja e fundit e jetës time aktive në punë i shërben një kompanie të madhe, pronë e një tropojani që sot është figura me e njohur dhe më e suksesshme e biznesit shqiptar, SIGAL UNIQA Group Austria, z Avni Ponari dhe ku? Bash në Kosovën tonë të dashur!

Këto pamje kaq të larmishme të natyrës me të cilën e ilustrova komentin e kësaj dite kaq të rëndësishme të jetës time ndoshta janë edhe ndikuesi më i fortë i natyrës njerëzore të krahinës time, ku ngjizen dhe harmonizohen epika, bukuria shpirtërore dhe fizike, impulset, energjitë, trimëria, zgjuarsia, shpesh herë nxitimi, arësyetimi i shëndoshë, por edhe vendimet e menjëherëshme, aksionet racionale, por edhe ngutja në vendim.

Prandaj, kudo që shkova në çdo cep të botës u ndjeva krenar kur iu përgjigja pyetjes se nga isha:

Jam nga Tropoja, nga Malësia e Gjakovës, nga Shqipëria.

Nga ky vendi që shihni në foto. Iu ktheva kujtimeve të vendlindjes time sot në këtë ditë të 26 gushtit 2017, sepse gjithçka për mua filloi këtu, si sot 65 vjet më pare në lagjen Kojel, Tropojë, Malsia e Gjakovës – më 26 gusht 1952.

SHKARKO APP