Basha: Çfarë provash doni më? Saimir Tahiri është kapur në flagrancë

Në një konferencë urgjente për mediat, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit Saimir Tahiri.

Basha u shpreh se Edi Rama po bllokon hetimet me mos heqjen e mandatit të deputetit për Saimir Tahirin. Ai tha se provat janë në dritë të diellit para gjithë shqiptarëve, por vetëm Edi Rama nuk do t’i shikojë ato.

“Antimafia italiane ka paraqitur prova ligjore për trafikun e drogës të bandës “Habilaj”, e ndihmuar direkt nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama. Dosja tregon sesi krahu i djathtë i Edi Ramës është kapur në flagrancë me trafik droge dhe gjithë shtetit është vënë në shërbim të trafikantëve. A nuk është provë që makina e ministrit është vënë në shërbim të trafikantëve, në kohën që ishte në emër të tij”,- u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Basha denoi dhe protestat në mbrojte të Saimir Tahirit. “I bëj thirrje Edi Ramës të heq dorë nga presioni rrugaçëror ndaj media së pavarur dhe opozitës. Këto nuk e shpëtojnë dot”,- tha Basha.

Deklarata e kreut të PD u bë pak orë para se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të vendos për mandatin e Saimir Tahirit. Deputetët e PS deklaruan se prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë bindëse kundër Tahirit, duke nënkuptuar se nuk do të lejojnë miratimin e kërkesës për arrestimin dhe hetimin e tij.

VIDEO/KONFERENCA E LULZIM BASHËS

https://www.facebook.com/reporttval/videos/863313693829535/

Rama: Lulzim bërtit por unë dua drejtësi, ti do karrigen

Pas deklaratës së Lulzim Bashës ka reaguar dhe kreu i qeverisë, Edi Rama. Në një përgjigje në facebook, Rama shkruan se Basha kërkon karrige, teatër kurse kryeministri kërkon Drejtësi dhe luftë ndaj krimit.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10155243251726523

Balla: PS po bënë çdo gjë për drejtësinë ndaj Tahirit

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar ndaj deklaratave të deputetëve të opozitës në Këshillin e Mandateve, duke deklaruar se faza përfundimtare e mbledhjes së tij ka qenë gjithmonë me dyer të mbyllura. Në një deklaratë për mediat, Balla ka përmendur edhe një sërë precedentësh, që sipas tij faktojnë ndjekjen e kësaj procedure.

“Në 20 e 6 vjet, në të gjitha rastet kjo pjesë ka qenë e mbyllur dhe rastet më tipike të këtyre mbledhjeve janë: vendimi për deputetin Lulzim Basha, për deputetin Fatmir Mediu, për deputetin Nikollaq Neranxi, për deputetin Dritan Prifti, për deputetin Ilir Meta, etj”, ka deklaruar Balla.

Balla ka theksuar se anëtarët e Këshillit të Mandateve duhen lënë të qetë të dalin në përfundimin e tyre dhe më pas, sipas procedurave, do të veprojë Kuvendi. “I kërkoj Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit t’i lënë anëtarët e këshillit të bëjnë punën e tyre. Ne do t’i krijojmë drejtësisë të gjitha kushtet që ky hetim të shkojë deri në fund”, ka shtuar Balla.

DEKLARATA E PLOTË E TAULANT BALLËS:

Besoj se dëgjuat një gënjeshtër tjetër të madhe, keqinformim publik nga ana e deputetëve të opozitës para pak çastesh. E ndjeva si detyrim ndaj publikut që të ndaj me ju shpjegimin e arsyes se përse faza përfundimtare e mbledhjeve të Këshillit të Mandateve, pra ajo e përgatitjes së raportit përfundimtar që i shkon seancës, është e mbyllur.
Në 26 vjet të Kuvendit të Shqipërisë, në të gjitha rastet kjo pjesë e mbledhjes së këtij këshilli ka qenë gjithmonë e mbyllur.
Edhe në rastet më tipike.
Më lejoni, për kujtesën tuaj dhe të publikut, t’ju përmend një nga një të gjitha rastet:
Vendimi numër 152, datë 27.12.2007 për deputetin Lulzim Basha – diskutimet janë bërë të mbyllura.
Vendimi numër 16.6.2008 për deputetin Fatmir Mediu – me dyer të mbyllura.
Vendimi 23.4. 2009 për deputetin Nikollaq Neranxi – me dyer të mbyllura.
Vendimi 87, datë 24.2.2011 për deputetin Dritan Prifti – me dyer të mbyllura.
Vendimi numër 84, datë 16.02.2011 për deputetin Ilir Meta – me dyer të mbyllura.
Vendimet 4,5,6, me datë 2.2.2011 – me dyer të mbyllura, etj, etj.
Mua më vjen shumë keq, se sa keq po dalin deputetët e Partisë Demokratike në sytë e publikut me këtë përpjekje qesharake.
Jemi në fazën që deputetët e mandatuar nga grupet parlamentare në këshill duhet të bëjnë raportin përfundimtar. Dëshira jonë është që ne të kemi një raport përfundimtar me një qëndrim.
Nëse Këshilli nuk do të ketë një qëndrim, por do të ketë dy qëndrime, tre qëndrime,- mund të ketë LSI-ja të vetin, mund të ketë PD-ja të vetin,- kjo është një çështje që i takon anëtarëve të këshillit, dhe duhet ta dini që këshilli paraqet raportin në seancë. Siç e dini sipas rregullores, në seancën e parë që pason miratimin në raport. Ditën e mërkurë është seanca më e parë. Nëse raporti do të jetë gati të mërkurën, atëherë seanca do të mbahet të mërkurën.
Por i kërkoj Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit: lërini anëtarët e këshillit të bëjnë detyrën e tyre, mjaft i nxorrët qesharakë. Del një deputet dhe deklaron votën, po çfarë vote deklaron mo, se nuk po të kuptoj.
Nuk po të kuptoj, votën e ke në seancë, atje do e shprehësh në bazë të një raporti apo dy raporteve, në një raport me dy qëndrime që do të sjellësh në seancë. Duhet të jetë e qartë për të gjithë, që këtu do të zhvillohet tërësisht një proces normal. Edhe ajo historia e para dy ditëve që me vrap, pse nuk po mblidhet mbledhja, filluan të qajnë te dera e Kuvendit, deputetët e opozitës dëshironin të shihnin provat. Shumë mirë. Ka një procedurë për provat, uluni shikojini, vlerësojini. Në fund të fundit ky është institucioni që ka ngarkuar Kuvendi të iluminojë deputetët e Kuvendit lidhur me kërkesën e ardhur nga Prokuroria.
Dua të them shumë qartë dhe shumë shkurt se: edhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste po pret që deputetët e vet në Këshillin e Mandateve të qartësohen mbi gjithçka ka paraqitur Prokuroria.
Ju e dini që asnjëri prej deputetëve tanë nuk është aty si avokat, as i deputetit Tahiri apo kujtdo tjetër. Ata janë aty si përfaqësues të Kuvendit për të bërë filtrimin e materialit që ka sjellë Prokuroria. Ne do t’i krijojmë drejtësisë të gjitha kushtet që ky hetim të shkojë deri në fund.

 Këshilli i Mandateve vendos sot për Tahirin

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendos sot për imunitetin e Saimir Tahirit. Mbledhja e orës 10:00 filloi me avokatin e Tahirit, që kërkoi shtyrjen e marrjes së vendimit, duke deklaruar se, një mbrojtje e arsyeshme kërkon një afat kohor prej 3 ditësh. Kërkesë kjo që ka shkaktuar një debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Enkelejd Alibeaj, PD: Kjo është alibia e radhës drejt pandëshkueshmërisë. Po vendosni ta shtyni. Zoti kryetar ju po shkelni procedurën. Sot nuk kemi për qëllim t’i vëmë prangat dikujt. Ky është momenti i së vërtetës për reformën në drejtësi. Keni pasur kohë, keni pasur dosjen, nuk ka elementë të rinj siç deklaroni, ndaj duhet të vijojmë një orë e më parë me procedimin. Boll kohë u kemi dhënë shkelësve të ligjit të prishin provat.

Bledi Çuçi, PS: Personalisht nuk do ta zgjasja një sekondë këtë farsë të ardhur nga prokuroria. Por këtu jemi për të respektuar procedurat parlamentare, përfshirë të drejtat e çdokujt para Kushtetutës dhe ligjit. Nëse deputetit që akuzohet për një krim shumë të rëndë dhe prokuroria ka ardhur për ta arrestuar nuk i lind e drejta që të mbrohet, ky është një turp i këtij Parlamenti. Një kërkesë e tillë u bë për Lulzim Bashën në 2007. U bënë 6 mbledhje të Këshillit, më shumë se dy muaj kohë. Kurse ai po kërkon 3 ditë, brenda datës që kemi caktuar si seancë plenare. Jemi brenda çdo afati procedurial. Unë jam i bindur që kemi të bëjmë me një farsë. Por duhet të dëgjojmë deri në fund personin. Është në nder të këshillit që ne t’i lëmë afat mbrojtjes.

Genti Strazimiri, PD: Mbrojtja bëhet në gjykatë, jo këtu.

Eduard Halimi, PD: Në 2007, Lulzim Basha ka kërkuar vetë t’i hiqet imuniteti. Ka ardhur këtu në sallë dhe ka thënë ‘ma hiqni imunitetin sot’. E dyta, në 2007 prokuroria nuk ka kërkuar arrestimin e Bashës dhe Basha nuk akuzohej për përfshirje në trafik droge. Sot është një akuzë e tillë dhe kërkohet arrestimi i deputetit. Provat e sjella nga prokuroria janë të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme.

Gramoz Ruçi, kryetar: Nuk mund të vijë asnjë organ tjetër dhe t’i thotë Këshillit ‘miratojeni sot’. Organi i akuzës ka atributin për ta ndaluar Saimir Tahirin dhe rregullorja lejon që brenda 4 ditëve të shprehet po ose jo. Në rastin konkret, prokuroria ka paraqitur një kërkesë që kërkon ndalimin dhe sipas rregullores, ky Këshill ka në dispozicion 4 javë. Dhe Parlamenti e vendos në seancën më të parë, në fillim të rendit të ditës.

Prokurori i çështjes, Besim Hajdarmataj: Ne i kemi parashtruar kërkesat, argumentet dhe arsyet përse e kërkojmë një autorizim sot. Ne nuk e dimë se cili mund të jetë vendimi juaj, kështu që nuk mund të shprehemi.

Gramoz Ruçi, kryetar: Vlerësoj se është e domosdoshme marrja në konsideratë e kërkesës. Zotërinj të palës mbrojtëse, e hëna është vonë. Keni kohë deri nesër. Nesër në orën 10 duhet të vini këtu. Me deputetin Basha ka zgjatur 60 ditë mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve.

Enkelejd Alibeaj, PD: Hidhe në votim! Kjo është e turpshme! Ti sapo pranove fajin pa filluar gjyqin!

Nasi Naço: LSI do votoj heqjen e imunitetit të Tahirit

Deputeti i LSI-së, Nasip Naço në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Mandateve deklaroi se Partia Socialiste duhet t’i hapi rrugën hetimit të ish-ministrit Saimir Tahiri. Ai u shpreh se qëndrimi i LSI është që çdo politikan duhet të përballet pa imunitet me drejtësinë. “Është parim i LSI që askush, pavarësisht emrit dhe ngjyrës politike, nuk duhet të mbrohet me anë të imunitetit”,- tha Nasip Naço.

Ish-ministri Naço tha se Kuvendi duhet t’i hapë rrugën hetimit. “Ruçi vendosi vijimin e seancës me dyer të mbyllura. Unë do të deklaroj votën time pro Prokurorisë në lidhje me kërkesën e tyre. Ne nuk duhet të mbrohemi pas imunitetit. Personalisht nuk më ka kërkuar të jem avokat i askujt, unë jam deputet, aty shikohen vetëm procedurat për faktet apo dhe provat, të analizojmë këtë. Kam bindjen se prokurorët nuk kanë interferenca politike.

Kemi një fakt se janë arrestuar 4 persona, materialet e tjera i kanë krijuar bindjet gjithkujt, kjo nuk është një gjë e mirë për socialistë,por mirë për shqiptarët. Grupit i socialistëve shpresoj të mos luajnë rolin e mburojës, por t’i hapin rrugë hetimit të Prokurorisë””, u shpreh Naço.

Prononcimi i deputetit të LSI-së Nasip Naço :

Unë do doja që të deklaroj votën time pro dhënies së autorizimit për deputetin Saimir Tahiri sepse është në moralin dhe standardin të LSI, të vendosur që në vitin 2009, deklaruar që për çdo deputet të LSI, nuk gëzon mandat kur ka një kërkesë nga prokuroria, kur ka një akuzë të caktuar. Deklaruar kjo dhe në vitin 2012, në ndryshimet kushtetuese, është për deputetët e LSI-së, dhe sigurisht që është për të gjithë deputetët e tjerë. Është një standard moral i vendosur, ne nuk duam që të mbrohemi pas imunitetit. Besoj që edhe zoti Tahiri nuk do të mbrohet pas imunitetit.

Me aq sa keni parë dosjen në seancën e mbyllur, A bindeni ju që z.Tahiri është i implikuar në këtë aferë?

Personalisht nuk më ka kërkuar njeri të jem avokat, as kam për ta bërë ndonjëherë të jem avokat i askujt. Personalisht nuk kam ndërmend të bëhem prokuror apo gjyqtar. Unë jam deputet në këshillin e mandateve dhe imuniteteve. Aty shikohet vetëm procedura, nëse ka një akuzë konkrete, ka fakte, prova, të cilat i ka depozituar organi procedues. Mbështes organin procedues që të vazhdojë akoma më tej të bëj hetime të gjithanshme, nëse jepet autorizimi dhe duhet të jepet autorizimi të bëj kontrolle të vendeve të banesës dhe të marri masat që ajo çmon për të hetuar me objektivitet këtë çështje, gjithmonë duke u ruajtur interferencave politike. Kam bindjen që këta prokurorë nuk kanë interferenca politike. Nuk besoj që janë diskutuar në asamblenë e Partisë Socialiste  dhe këta kanë marrë procesverbalin dhe dalin dhe ngrenë akuzë. Apo pretendime të dhëna në parlament apo në media. Kemi një fakt i cili ka ndodhur: arrestimi i katër personave, me tendenca të theksuara kriminale për trafikun e lëndëve narkotike, për grup të strukturuar kriminal në Itali. Materialet e tyre në unitet me materialet e tjera që ka organi procedues, unë besoj që i kanë krijuar bindjen gjithkujt, që PS, unë besoj se edhe grupi i saj parlamentar, nuk është një ditë e mirë për ta sot, nuk është një ditë e mirë për deputetin Sajmir Tahiri, por është një lajm i mirë për shqiptarët që organi i Prokurorisë po punon në mënyrë profesionale për të hetuar dhe do jetë gjykata ajo që do vendosi për të gjithë hetimin procedural që bën prokuroria. Edhe njëherë përfitoj nga rasti përmes jush ti bëj thirrje Grupit Parlamentar të PS-së që të mos ti bëhet mburojë dhe ta mbrojë z.Tahiri, por ti hapi rrugë këtij procesi që e presin gjithë shqiptarët por dhe partnerët tanë ndërkombëtar.

SHKARKO APP