GREVIO mirëpret reformat në Shqipëri, por u kërkon autoriteteve të trajtojnë të gjitha format e dhunës ndaj grave

Strasburg – Në raportin e parë të vlerësimit mbi Shqipërinë, Grupi i Ekspertëve të Këshillit të Evropës mbi luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO)* përgëzon autoritetet shqiptare për masat legjislative dhe masat e tjera rregullatore të ndërmarra deri më sot, por kërkon në të njëjtën kohë hapa të reja shtesë për të trajtuar të gjitha format e dhunës ndaj grave.

Duke përshëndetur ratifikimin e Konventës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (njohur si Konventa e Stambollit), GREVIO thekson se Tirana ka zhvilluar një kornizë dhe politika të qëndrueshme legjislative që përgjithësisht e njohin dinamikën gjinore mbi të cilën mbështetet dhuna ndaj grave.

Në raport theksohet gjithashtu se perceptimi mbizotërues në publikun shqiptar është ai sipas të cilit dhuna ndaj grave mbetet kryesisht e kufizuar në zonat e varfëra të vendit, dhe viktimat e saj janë për rrjedhojë gra shumë pak të arsimuara duke lënë kështu mënjanë të gjitha kategoritë e tjera të grave.

Nën pretekstin e vlerave tradicionale të familjes, ekziston gjithashtu tendenca për të promovuar faljen dhe tolerimin e dhunës brenda familjes në mënyrë që kjo e fundit të mbahet e bashkuar, gjë që i bën gratë akoma më të pambrojtura ndaj kësaj lloj dhune.

GREVIO u bën thirrje autoriteteve shqiptare të ndërrmarin hapa konkretë për të rritur ndërgjegjësimin e grave por edhe të shoqërisë dhe grupeve profesionale, duke theksuar se dhuna ndaj grave është shumë më e përhapur se sa ajo që njerëzit besojnë dhe se dhuna nuk mund të tolerohet nën asnjë lloj preteksti.

Për më tepër, raporti thekson se Shqipëria deri më tani e ka vënë më shumë theksin në dhunën brenda familjes dhe ka trajtuar më pak forma të tjera të dhunës ndaj grave. Për rrjedhojë më shumë përpjekje janë të nevojshme për të trajtuar në menyrë efikase të gjitha format e dhunës ndaj grave, duke përfshirë edhe martesën e detyruar, ngacmimin seksual dhe dhunën seksuale.

Raporti identifikon fushat ku kuadri ligjor i Shqipërisë për trajtimin e dhunës ndaj grave duhet të përmirësohet siç është ai i vënjes në dispozicion të urdhrave të ndalimit ose mbrojtjes për viktimat e të gjitha llojeve të dhunës.

Ndërsa thekson më tej progresin e arritur dhe sfidat e mbetura për të pajisur plotësisht vendin me mekanizma efektivë bashkëpunimi ndërmjet agjencive që kanë për mision luftën ndaj dhunës, raporti veçon edhe dobësitë kryesore që ndikojnë në funksionimin e mekanizmave ekzistues dhe që kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të duhur të urdhrave të ndalimit të menjëhershëm dhe urdhrave të mbrojtjes, me përgjigjet joadekuate nga sistemi gjyqësor dhe implikimet e pamjaftueshme të profesionistëve të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe ekspertët e mjekësisë ligjore.

Raporti vlerëson përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të mbështetur dhe bashkëpunuar me OJQ-të, duke nënvizuar në të njëjtën kohë nevojën për masa të përshtatshme për të siguruar nivele të qëndrueshme të financimit për OJQ-të e grave që punojnë për të mbështetur viktimat dhe parandaluar dhunën.

Raporti thotë se procesi i reformave në Shqipëri duhet të marrë parasysh propozimet dhe sugjerimet e GREVIOs, me qëllim që të sigurojë pajtueshmëri të plotë me Konventën e Stambollit.

*GREVIO është mandatuar të monitorojë zbatimin e Konventës së Këshillit të Europës për Parandalimin dhe Luftën Kundër Dhunës ndaj Gruas dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit)

SHKARKO APP