Rritet numri i viktimave nga përmbytjet
Shkon në dy numri i viktimave nga përmbytjet. Një autoambulancë është përplasur me një makinë dhe më pas ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën 42-vjeçari Afrim Dani, që shoqëronte nënën e tij të sëmurë me autoambulancë. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Milotit.
Gjatë të enjtes, si pasojë e stuhisë që përshfiu Fierin, një elektriçist humbi jetën nga kontakti me rrymën. Edhe pse kolegët e dërguan 50-vjeçarin Sabri Vriga në spital, ai nuk arriti të mbijetojë.
Situata në fshatrat përgjatë shtratit të lumit Vjosë vjen duke u rënduar. Lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa shtëpi pranë Urës së Mifolit si edhe dhjetëra hektarë pyje dhe tokë bujqësore.
Në gatishmëri janë drejtuesit e bashkisë së Fierit, forcat ushtarake me mjetet e tyre, si edhe policia e shtetit. Disa familje janë shpërngulur nga frika e përmbytjes ndërsa të tjerë janë evakuuar nga ushtria. Në gatishmëri janë rreth 100 forca të ushtrisë, policisë, pushtetit vendor, si edhe një helikopter ushtarak.