Shemben 3 ura në Shijak. Komani dhe Vau i Dejës hapin porta
Shemben tre ura në Shijak duke bllokuar tre fshatra, Gjepalaj, Çizmel dhe Shetel. Qarkullimi është i pamundur duke izoluar banorët e fshatrave. Ndërsa probleme ka edhe në Ballias, pasi janë bllokuar rrugët.
Deri tani raportohet se janë përmbytur 50 banesa, 40 familje janë evakuuar, vijon operacioni nga Emergjencat Civile për shpëtimin e banorëve të tjerë që janë në rrezik.
Ndërkohë Që prej mbrëmjes së të enjtes hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës ka hapur portat për të shkarkuar ujin. Reshjet e shiut kanë mbushur basenet e këtyre heceve përtej nivelit të lejuar, çka ka detyruar KESH-in që të nisë shkarkimet.
Intensiteti i shkarkimeve në HEC-in e Vaut të Dejës ka arritur në 600 m3/s ndërsa në atë të Komanit 500 m3/s. Të dy hidrocentralet po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa KESH ka vënë në punë të gjithë agregatët duke rritur prodhimin e energjisë.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është rritur me 2 metra, duke arritur në kuotat 270 metra, ndërsa prurjet kanë arritur në 1700 m3/s, raporton Tv Klan.