Klosi: Biznesi, kontribut i rëndësishëm për përballimin e situatës
“Jemi këtu për të ndjekur nga afër përfundimin e një pune titanike dhe heroike të organizuar nga bashkia e Urës Vajgurore në bashkëpunim me biznesin e zonës për të rehabilituar një zonë e cila mund të rrezikonte përmbytjen e një pjese shumë të madhe të qytetit.” Kështu është shprehur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë inspektimit të bërë mëngjesin e ditës së sotme në Urën Vajgurore, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në qarkun e Beratit.
Ministri Klosi falenderoi gjithashtu bashkinë, strukturat shtetërore për organizimin dhe mbështetjen me të gjitha mjetet në përballimin e situatës. Veçanërisht ministri falenderoi biznesin lokal duke kërkuar mbështetjen e mëtejshme të tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve. “Kompania e zotit Bert Zyka ka punuar gjatë gjithë natës për të ngritur këtë digë të improvizuar e cila arriti të ndalojë kalimin e ujit në anën tjetër dhe të ruajë jo vetëm investimin e madh të bërë nga bashkia e Urës Vajgurore që siç e shikoni është një zonë krejtësisht e mbrojtur por të ruajë edhe pjesën tjetër duke shpëtuar po ashtu edhe çarjen e autostradës e cila do të ishte një katastrofë shumë e madhe për këtë zonë. Gjatë gjithë natës të gjithë punonjësit e bashkisë të ndihmuar edhe nga forcat e rendit dhe nga një strukturë shumë më e gjerë, kanë punuar në një mënyrë krejtësisht të falenderueshme dhe të përgëzueshme. Por po të shikojmë në anën tjetër të urës, përsëri situata nuk është nën kontroll dhe për këtë do të vazhdojë puna. Do të doja t’u bëja edhe njëherë thirrje të gjithë biznesit vendas, kompanive të cilat kanë mjetet motorike dhe të fuqishme për të ardhur dhe për të ndihmuar punën e drejtuar tashmë nga pushteti vendor për të siguruar jetën e njerëzve dhe për të siguruar po ashtu edhe pronën”- tha ministri Klosi duke përgëzuar për punën e saj edhe kryetaren e Bashkisë së Urës Vajgurore.
Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit, njëherësh deputet i qarkut Berat ndodhet në këtë zonë prej dy ditësh për të koordinuar dhe ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një ditë më parë në qarkun e Beratit falë organizmit të të gjitha strukturave u evakuuan 25 familje dhe janë marrë masa të vazhdueshme për të minimizuar dëmet.