Kapet sasia më e madhe e kokainës në Shqipëri, 613 kg me vlerë 180 milionë euro
Policia shqiptare dhe ajo italiane kanë kryer një nga operacionet më të suksesshme kundër drogës. Në Durrës është kapur sasia më e madhe e kokainës, 613 kilogramë, vlera e së cilës arrinë në 180 milionë euro.
Gjysmë toni drogë është nisur nga Italia dhe do të shkonte në tregun europian. Ky është fakti se bandat shqiptare kanë arritur të mos jenë thjesht shpërndarës, por të lidhen direkt me origjinën e drogës, në vende si Kolumbia. Krimi i organizuar shqiptar ka arritur të hyjë në të njëjtën linjë ku deri dje vepronin vetëm mafia italiane, grupet kriminale turke dhe mafia ruse. Arrestimi i disa shqiptarëve tregon se banda ka jo vetëm parë të mjaftueshme për të blerë në Kolumbi dhe shpërndarë vetë në Europën, por edhe burimet njerëzore dhe lidhje me institucionet që kanë garantuar transportin e drogës.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një konferencë për shtyp, po jep detaje mbi aksionin e Policisë për kapjen e 613 kg kokainë, e cila kap vlerën e 180 milion euro-ve.
Veliu tha se droga ishte nisur nga Kolumbia, tranzit në Itali dhe Maltë për të mbërritur në portin e Durrësit. Dy persona janë arrestuar, teksa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë që kishte kontenierin me banane ku ishte fshehur droga.
“Mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizën e riskut, pas një pune të mirë, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja e një sasie rekord prej 613 kg lëndë narkotike kokainë, me vlerë tregu mbi 180 mln euro” tha drejtori i përgjithshëm i policisë.
Veliu tha se kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit të ngarkuar me banane. “Në momentin që nga ngarkesa e ligjshme me banane u mor në dorëzim nga “Arbi Garden”, me pronar A. Ç. Sasia e drogës ishte në 528 pako me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontenieri u mbajt në vëzhgim derisa mbërriti në magazinën e firmës nga strukturat e policisë”, tha Veliu.
Në pranga kanë rënë dy 25 vjeçarë, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërsa pronari i kompanisë, A. Ç është shpallur në kërkim. Sasia e drogës zbulon një rrjet trafiku narkotikësh, që nis nga Kolumbia dhe përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian.
Drejtoria vendore e policisë së Durrësit nuk ka informacion për ngjarjen, teksa mendohet se operacioni është organizuar nga Krimet e Rënda, nga informacione të siguruara më parë.
Personat e arrestuar:
Donaldo Lusha
Armando Pezaku banues në Durrës
U shpall në kërkim shtetasi A.Ç pronari i kompanisë
https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2119493785003648/
DEKLARATA E DREJTORIT TË POLICISË SË SHTETIT, ARDI VELIU
“Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.
Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.
Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.
Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.
Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.
Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:
– D.L., 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;
– A.P., 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.
Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.
Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë“.