Arrest shtëpie për ish-ministrin Saimir Tahiri. Reagojnë politikanët
Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Ish-ministri akuzohet si të përfshirë në trafik droge me grupin “Habilaj” dhe për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka kërkuar masën “arrest me burg”, por gjykata ka vlerësuar që të lehtësojë masën e sigurimit duke vendosur vetëm “arrest shtëpie”.
Vendimi vjen një javë pasi Saimir Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Gjashtë muaj më parë, Prokuroria për Krimeve e Rënda kërkoi arrestimin e ish-ministrit për të njëjtat akuza. Por Parlamenti refuzoi t’i hiqte imunitetin me argumentin se akuzat e prokurorisë nuk qëndronin.
Pas rrëzimit të kërkesës nga Parlamenti, Prokuroria e hetoi si person të dyshuar ish-ministrin, por pa marrë asnjë masë sigurie nga gjykata. Me heqjen e imunitetit, Gjykata ka dhënë dënimin minimal për masën e sigurisë, në bazë të akuzave që rendojnë mbi ish-ministrin.
Kanë qenë 3 prokurorët Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani që kanë paraqitur kërkesën. Gjykatësja Liliana Baku e ka marrë vendimin rreth orës 17.00 të së shtunës. Pas kësaj një nga prokurorët, së bashku me avokatin e Tahirit ia kanë komunikuar masën e re Tahirit në shtëpinë e tij. Për mediat prokuroria bëri të ditur edhe një njoftim të shkurtër.
“Gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal. Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3”.
Kryemadhi: Rilindasit janë bërë shumë të parashikueshëm!
E para që reagoi për masën e “arrestit të shtëpisë” të Tahirit është kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Një javë më parë, Kryemadhi deklaroi se masa që do t’i jepet Tahirit është “arrest shtëpie”.
Reagimi i Kryemadhit:
E kisha thënë! Rilindasit janë bërë shumë të parashikueshëm! Gjithë ai nxitim; hiq, shkarko, shantazho, këtu do të dilte, për më tepër në ditën kur vëmendja e publikut është te ministri aktual dhe përgjegjësitë e tij, del në skenë ish-ministri.
Një figure e djegur që përdoret dhe shantazhon sipas rastit ish kolegët! Tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve ne PS.
Tashme padrejtësia është përballë popullit , sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij.
Vendimi i gjykatës për Tahirin, vjen reagimi nga ish-kryeministri Berisha (FOTO)
Vetëm pak pasi gjykata caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për ish-ministrin Saimir Tahiri, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha.
Përmes një statusi në ‘Facebook’ Berisha ka vijuar me akuzat në drejtim të ish-ministrit, i cili po hetohet si qytetar i lirë për akuzat e përfshirjes në trafik droge me grupin e trafikantëve “Habilaj”.
https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1005171726310401
“Kryegjykatesi Rama noterizon marreveshjen me Tahirin! Ne perputhje me marreveshjen e kryekumbar Rames me Saimir Trafikun, sot kryegjykates Rama e “denoi” Sajen me qendrim ne shtepi!! sb“,- shkruan Sali Berisha.
Edi Rama: Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vendimin e sotëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda për dhënien e masës “arrest shtëpie” për Saimir Tahirin.
“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”- shkruan Edi Rama në një reagim në Facebook.
Basha: Loja Rama –Tahiri vazhdon
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për vendimin e sotëm të gjykatës ndaj Saimir Taihirit. Në një koment në Facebook, Basha shprehet se “Loja Rama –Tahiri vazhdon”.
Reagimi i plotë i Luzlim Bashës:
“Loja Rama –Tahiri vazhdon. Arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri.
Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës.
Arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i rradhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri.
Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një”.
Petrit Vasili: Estrada që po ndodh sot u paralajmërua
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar sot vendimin e gjykatës, për “arrest shtëpie” të Saimir Tahirit. Në një reagim në Facebook, Vasili shprehet se farsën që po ndodh sot, kryetarja e LSI e paralajmëroi 10 ditë më parë.
Reagimi i plotë i Petrit Vasilit:
Kryemadhi parashikoi pike per pike veprimet e lapangjozeve per Tahirin.
Me kete Kryeminister, qe ja kane vene kembet kryq kriminelet s’ka asnje surprize.
Lapangjozet jane kaq te trashe dhe te parashikueshem sa s’bejne me as lajm.
Monika Kryemadhi dhjete dite me pare jua paratregoi te gjitheve estraden qe do shikonin sot.
Ja cthoshte Kryemadhi per keta palaço qe ne 3 maj dhe gjykoni vete:
“Çështja Tahiri” nuk mbyllet me një arrest shtëpie të tij, është një çështje që do të vazhdojë. E kam thënë dhe sot paradite, Tahiri është një ushtar në perandorinë e Edi Ramës.”