Neni për ekstradimet! BE: Ligji sipas standardeve europiane
Pas akuzave për ndryshim të nenit për ekstradimet në Kodin e Procedurës Penale, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, për ”Zërin e Amerikës”, thotë se i gjithë procesi i Reformës në Drejtësi dhe paketa e ligjeve shoqëruese u asistua ngushtësisht dhe nga misioni europian Euralius.
”Ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius, deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017. Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit”.
PD-ja akuzon ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me të vëllanë e tij të arrestuar në Itali në vitin 2002 e më pas të dënuar në 2012-ën me 7 vjet e dy muaj burgim për pjesmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës.
Sipas opozitës, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të ligjeve, ministri Xhafaj ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij, gjë e cila është hedhur poshtë nga socialistët. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.
Sipas opozitës një formulim i tillë “pamundëson ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit, si dhe pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge”.
Delegacioni i BE-së shprehet se: ”Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit. Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë për ekstradimin, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”, përfundon shpjegimi i Delegacionit të BE-së.