Nuk rrëzohet kryeministri Rama me protestë “pambuku”
-Nëse varfëria mbetet në kufijtë e mbijetesës, nëse gjithë pushtetet po i merr Edi Rama, nëse droga është kthyer në biznes qeveritar, nëse mediat kryesore i ka blerë kryeministri me leje ndërtimi, koncensione apo vendime me nga 5 milion euro me një ligj të veçantë, nëse korrupsioni kap vlera galopante, etj siç reciton Lulzim Basha, atëhere populli ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me qeverinë e tij; pra edhe ta rrëzojë me forcën e shpirtit të revoltuar
Ndërkohë që publiku mbetet i ngarkuar nëse opozita, dhe kryesisht PD e LSI, a do të mund ta rrëzojnë qeverinë ditën e shtunë me forcën e shpirtit dhe zëmerimit qytetar, mbrëmë vonë doli Lulzim Basha në konferencë shtypi. Të gjithë prisnin që të thoshte se do të vijë e gjithë Shqipëria dhe ta rrëzojmë këtë “pushtet të krimit e drogës”, siç Basha e Berisha e deklarojnë. Por Basha u mor me një akuzë se kanë ofruar 200 mijë euro familja Xhafaj në drejtim të dëshmitarit. Kjo akuzë do të bëhej e besuar nëse Basha do të thoshte emrin se kujt nga të afërmit ia kanë ofruar shumën. Po të thoshte emrin do të ishte e besueshme. Por gjithsesi akuzën e bëri kryetari i PD-së. Atëhere derisa mafia qeveritare ofron edhe 200 mijë euro për të mbyllur gojën, duhet me popull ta rrëzojë, opozita, këtë mafie të pushtetit. Po pse nuk tha se të shtunën do ta rrëzojmë këtë klikë droge që qeveris vendin? Asgjë të tillë motivuese për demokratët nuk tha zoti Basha.
Një opozitë serioze, e përkushtuar ndaj elektoratit të saj dhe popullit të pakënaqur me qeverisjen, kur bën thirrje për protestë parashikon të gjithë skenarët e mundshëm. Kur opozita akuzon dhe bërtet se “vendin e drejton krimi, mafia, droga dhe po vjedhin pasuritë e popullit”, nuk ka vend për protestë, por për demonstratë. E ku ka më rrezik për njerëzit se sa kur krimi e droga drejtojnë vendin, siç flet kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Nëse varfëria mbetet në kufinjtë e mbijetesës, nëse gjithë pushtetet po i merr Edi Rama, nëse droga është kthyer në biznes qeveritar, nëse mediat kryesore i ka blerë kryeministri me leje ndërtimi, koncensione apo vendime me nga 5 milion euro me një ligj të veçantë, nëse “tepsinë” e pushtetit e ndan kryeministri me militantët e PS-së, nëse korrupsioni kap vlera galopante, etj siç reciton Lulzim Basha, atëhere populli ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me qeverinë e tij. Gjithnjë nëse është i revoltuar me kryeministrin.
Por mësohet se Lulzim Basha ka porositur drejtuesit e PD-së se hajdeni e më dëgjoni mua kur të flasë kundër kryeministrit Rama dhe më pas ikni në shtëpi. Bile mblidhni edhe shishet e ujit që do hidhen në bulevard nga etja. Asnjë fije bari mos shkelni para zyrës së kryeministrit!
Të shtunën njerëzit do vijnë nga ana e anës, me makina, motora, me trena e me autobuzë. Edhe me biçikleta. Do të dëgjojnë Lulzim Bashën kur të “dërmojë” me fjalë e me një zë të çjerrë drithërues, Edi Ramën dhe pastaj njerëzit do turren për të kapur ndonjë automjet që të kthehen prapë në shtëpi, ku nuk do kenë drita, ku do mungojë ushqimi, ku prapë do jenë të papunë e ku prapë pa asnjë shpresë.
Zoti Basha! Mafia që është në pushtet, siç akuzoni ju, përmbyset me popull, pasi me votë nuk arritët dot as vitin e kaluar ta rrëzonit, ndonëse ishit në bashkëqeverisje.
Q. Xhani