Edi Rama, mesazh protestuesve të opozitës: Basha ju do vetëm për një foto në lajme
Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë para protestës së opozitës para godinës së Kryeministrisë. Në një mesazh në Facebook, kreu i qeverisë u drejtohet qytetarëve që kanë planifikuar të marrin pjesë në tubim.
Rama thotë se qëllimi i Lulzim Bashës është që të nxjerrë qytetarët në protestë vetëm për të dalë në lajmet e agjencive ndërkombëtare.
Ndërkohë paralajmëron se adio-përgjimi kundër vëllait të ministrit të Brendshëm është një inskenim i PD që do të dalë bllof.
“Lulëzim Basha ju do për një foto në lajmet e botës: Shqipëria në protestë kundër ministrit të brendshëm trafikant droge! Kush do i shkojë pas nesër ta dijë pse po del e mos thotë pastaj, “Ah, si nuk e dija që audiopergjimi ishte sajesë e esadistëve të rinj kundër çeljes së negociatave me BE!”,- shprehet kryeministri Edi Rama në komentin e tij në Facebook.
Një ditë më parë Edi Rama deklaroi në Kuvend se audio-përgjimi është një falsitet. Sipas tij, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk është fare i pranishëm në materialin e publikuar nga PD, por zëri i tij është manipuluar. Ndërkohë Prokuroria ka dërguar materialin për ekspertizë jashtë vendit dhe pritet shumë shpejt të vijë një përgjigje zyrtare që do të hedhë dritë për akuzat e PD dhe qëndrimin e mazhorancës.
Pavarësisht pikëpyetjeve të këtij materiali, PD ka thirrur qytetarët për të marrë pjesë në tubimin që do të zhvillohet të shtunën në orën 11:00.
Lajme të tjera për protestën e opozitës