Basha foli kundër Ramës, por drejtoi turmën të ministria e Xhafës
Sot u zhvillua një protestë e inicuar nga PD-LSI e partitë e tjera. Ndryshe nga tubimet e tjera, në këtë protestë mungonin flamujt e partive. Protestuesit u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 11:00, me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Protesta u tha nga PD se do të ishte e qetë, por nuk rezultoi e tillë deri në fund. Një pjesë e protestuesve ishin udhëzuar për dhunë dhe sulm ndaj policisë dhe godinës së Ministrisë së Brendshme.
Në këtë protestë pati vetëm një fjalim nga ana e Lulzim Bashës. Ai foli kundër Ramës dhe Xhafajt, por popullin për përplasje e drejtoi te zyra e ministrit të Brendshëm. Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë drejt sheshit “Skënderbej” dhe konkretisht te ministria e Brendshme, ku ishte ministri Xhafaj në zyrë me disa të huaj. Në këtë moment, mes protestuesve dhe forcave të rendit nisën incidentet dhe përplasjet, të cilat vazhduan për më shumë se 30 minuta. Aty u plagos edhe kryeredaktori i gazetës RD Blendi Kasmi. Akuzat janë të ndërsjellta se si u plagos ky gazetar opozitar, por e verteta mbetet se kur plagoset një gazetar, aq me tepër opozitar, mbetet një shenjë e keqe e një demokracie. Gjithsesi plagosja e tij duhet dënuar, sido që të ketë ndodhur.
Përveç gazetarit drejtues të RD janë plagosur edhe 11 policë nga përplasja me turmën. Disa protestues kanë qëlluar policët. Ata kanë hedhur sende të forta dhe lëndë tymuese. Kur dukej se situata do të përshkallëzohej edhe më shumë, kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri thirrje për tërheqje të protestuesve nga Ministria e Brendshme. Një veprim i mençur i Bashës, pasi situata mund të përshkallëzohej edhe me keq dhe nuk dihej përfundimi.
Zhvillimet e protestës minutë pas minute
Policia e Shtetit: Personat që ushtruan dhunë në protestë do përgjigjen ligjërisht
ORA 18:30- Policia e Shtetit ka reaguar sot për protestën e zhvilluar nga opozita. Policia thekson se protesta ishte paqësore deri në “n përmbyllje të tubimit, së pari një grup personash, para Kryeministrisë, tentuan të krijonin incidente me Policinë dhe më pas një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, në afërsi të godinës së Ministrisë së Brendshme”.
Policia konfirmon se si pasojë e dhunës janë lënduar dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 11 efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me incidentet policia njofton se “për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Ky grup, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punon për identifikimin e episodeve të dhunës, identifikimin e personave përgjegjës si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi”.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
Ditën e sotme, 26 maj 2018, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, organizuan një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin para Ministrisë së Brendshme. Arritja e pjesëmarrësve në qytetin e Tiranës, grumbullimi i tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe fjalimi i rastit vijoi normalisht sipas parashikimeve dhe kërkesave të organizatorëve. Në përmbyllje të tubimit, së pari një grup personash, para Kryeministrisë, tentuan të krijonin incidente me Policinë dhe më pas një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, në afërsi të godinës së Ministrisë së Brendshme.
Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit janë hedhur gurë dhe mjete të tjera rrethanore dhe mjaft prej tyre janë goditur me sende të forta. Për pasojë janë lënduar dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 11 efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Edhe mes tubuesve pati një të lënduar, i cili mori ndihmën mjekësore të nevojshme.
Drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e tubimit, e kryen këtë detyrë me profesionalizëm të spikatur dhe në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve. Për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Ky grup, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punon për identifikimin e episodeve të dhunës, identifikimin e personave përgjegjës si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur në qarkullimin rrugor në ditën e sotme.
Falënderojmë misionet ndërkombëtare të asistencës policore për mbështetjen e ofruar në hartimin dhe realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit.
Policia e Shtetit falënderon dhe vlerëson gjithashtu mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra, angazhimin dhe punën e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e tubimit. Policia e Shtetit është e angazhuar të sigurojë kurdoherë, zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
ORA 15: 12- Plagosja e kryeredaktorit të RD. Policia: U godit me gur nga protestuesit. PD: Ja e vërteta
I plagosur në protestën e opozitës mbeti edhe Bledi Kasmi, kryeredaktori i gazetës Rilindja Demokratike. Ai vetë, zyra e shtypit në PD dhe Basha thanë se gazetari u qëllua nga policia teksa ishte duke raportuar. Televizioni Report Tv dhe Policia pretendojnë se ngjarja ka ndodhur ndryshe. Report TV transmetoi një videio që tregonë Kasmin në përpjekje për të hequr një prej zgarave të hekurit pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas lajmit të Report TV “Kasmi është qëlluar me një gur në kokë, i ardhur nga turma e protestuesve”
Partia Demokratike ka reaguar ndaj një video të publikuar nga Report TV, ku pretendohet se kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi nuk është goditur nga policia, por nga një gur i protestuesve. “Kjo është video që disa media e kanë marrë nga Report TV dhe e kanë e interpretuar sikur Bledi Kasmi është qëlluar me gurë nga protestuesit. Ne e ngadalësuam të njëjtën video ku është bazuar mashtrimi dhe ai që quhet gur janë syzet e Bledi Kasmit që i fluturojnë nga koka, pasi ai goditet me shkop gome. PD kërkon përgënjeshtrim nga mediat që pasqyruan këtë mashtrim”,- thuhet në reagimi e PD.
ORA 13: 05-Edi Rama: Protestë qesharke
Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar për protestën e sotme të opozitës. Ai e cilëson protestën qesharake dhe falënderon qytetarët që nuk morën pjesë, duke nënkuptuar se numri i protestuesve ka qenë i vogël. “Faleminderit të gjithë atyre demokratëve, të cilët nuk duan ta shohin me sy qeverinë, po e refuzuan ftesën për të marrë pjesë në babaleprotestën sa qesharake, aq edhe të pabesë ndaj çdo shqiptari e shqiptareje, që nuk pranon të dëmtojë Shqipërinë për babalepartinë”,- shkruan Edi Rama në një reagim në Facebook.
https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10155835327721523
ORA 12:57- Basha mbyll protestën
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur deputetët dhe një pjesë të protestuesve dhe ka deklaruar fundin e protestës. Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe deklaroi se sot i dhanë një mesazh të fortë Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës.
INCIDENTE TE MINISTRIA E BRENDSHME
ORA 12:47- Pas njoftimit se Basha urdhëroi largimin e protestuesve të dhunshme nga Ministria e Brendshme, deputetët e PD kanë ndërhyrë për të qetësuar qytetarët. Deputetë dhe zyrtarë të PD kanë bërë thirrje për tërheqje dhe largimin nga ambientet e godinës së Ministrisë së Brendshme.
ORA 12: 41- Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vendosur të tërheq protesutesit e dhunshëm që ndodhen para ministrisë së Brendshme dhe po përplasen prej disa minutash me policinë.
Zyra e shtypit e PD njoftoi se “Basha do jetë te Minisria e Brendshme për të terhequr protestuesit”.
Në këtë mënyrë kreu i PD-së ka vendosur të qetësojë situatën e cila mund të shpërthente nga momenti në moment. Fakti që Basha deklaron se do të tërheq protestuesit tregon se dhuna ndaj institucionit ka qenë e porositur dhe e koordinuar nga PD.
Ora 12.34: Turma tenton të hyjë brenda zyrave të ministrisë.
ORA 12:00 Protestuesit kalojnë rrethimin e Ministrisë së Brendshme. Pas tubimit para kryeministrisë, protestuesit e opozitës janë drejtuar drejt ministrisë së Brendshme. Një pjesë e protestuesve kanë çarë rrethimin e godinës së ministrisë dhe kanë hyrë në oborrin e saj.
FOTO GALERI
ORA 11: 30: Një grup protestuesish të opozitës kanë tentuar me forcë të çajnë kordonin e policisë dhe të hyjnë ne ambientet e Kryeministrisë. Deputetë të PD dhe kreu FRPD, Belind Këlliçi kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar grupin e protestuesit që po përplasej me policinë. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve të PD situata para Kryeministrisë është normalizuar.
FOTOGALERI/INCIDENTET PARA KRYEMINISRISË
Basha: Nuk kemi ardhur këtu për pushtet
Ora 11:00 –Kreu i PD-së, Lulzim Basha u është bashkuar protestuesve duke dalë nga selia e PD, së bashku me një pjesë të deputetëve të opozitës. I pyetur nga mediat për sfidën që i ka bërë Fatmir Xhafaj për dorëheqje nëse audio-përgjimi del fallto, Basha tha: “E mori përgjigjen mbrëmë”. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi së bashku me deputetë dhe simpatizantë të LSI-së ju bashkua protestës duke u nisur në mënyrë simbolike nga selia e partisë. Kryemadhi tha se kjo protestë është kundër krimit dhe kundër qeverisë që po pengon integrimin e vendit.
Mijëra qytetarë kanë ardhur nga të gjitha anët e vendit për të ju bashkuar opozitës në këtë tubim. Në orën 11:20 këndimi i himnin kombëtar ka shënuar dhe çeljen e tubimit para Kryeministrisë.
Kreu i PD-së ka folur i pari në protestën e opozitës duke cituar vargjet e rilindësit Naim Frashëri. “Vëllezër dhe motra. Jak o ditë e uruar që lind nga perëndon… Një shekull e gjysmë më parë Naim Frashëri u kujonte shqiptarëve se dielli ynë lind në perëndim. Sot në këtë shesh jemi mbledhur me qindra mijëra për dritën e jetën, për diellin tonë që lind në perëndim. Nuk jemi këtu për pushtet, por për Shqipërinë si gjithë Europa”,- tha Basha.
Basha u shpreh se kjo është qeveria më anti-europaine në gjithë europën. “Kjo është beteja mes njerëzve që duan siguri dhe atyre që kanë pushtetin e krimit”.
Kreu i PD-së tha se problemi i vendit është mungesa e demokracisë dhe jo përplasjet pozitë opozitë.
VIJON…
VIDEO LIVE PROTESTA E OPOZITËS NË BULEVARDIN DËSHMORËT E KOMBIT
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1334568070001645/
ORA 10: 45: Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi së bashku me deputetë dhe simpatizantë të LSI-së i është bashkua protestës duke u nisur në mënyrë simbolike nga selia e partisë. Kryemadhi tha se kjo protestë është kundër krimit dhe kundër qeverisë që po pengon integrimin e vendit.
“Sot më shumë se kurrë të gjithë kërkojnë ikjen e Ramës dhe grupin e tij që kanë bllokuar hapjen e negociatave. Edhe kushtet e vështira, ne jemi të gatshëm t’i marrim përsipër, që t’u hapim shqiptarëve negociatave. Largimi i Edi Ramës largon çdo problematikë e do tu japë shpresë shqiptareve”, ka deklaruar Kryemadhi.
Prononcimi i plotë i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi
Është shumë e qartë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për Edi Ramën për progres raportin i cili ka dalë në prill. Janë 37 faqe raport ku ka vetëm 7 kushte që po t’i mbledhësh në një, përfundojnë në rezultatin që duhet të iki Edi Rama në mënyrë të tillë që të hapen negociatat. Lufta kundër krimit dhe trafikut të drogës janë gjërat më kryesore të cilat e kushtëzojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë. Unë mendoj që hapja e negociatave të Shqipërisë nuk ka lidhje me klasën politike, ka lidhje me shqiptarët. Prandaj sot më shumë se kurrë kërkojmë ikjen e Edi Ramës me të gjithë grupin e tij të trafikimit të cilët kanë arritur të bllokojnë negociatat. Largimi Ii Edi Ramës është shans për shqiptarët që me datën 7 qershor europianët t’i thonë po Shqipërisë. Qoftë edhe duke na vendosur kushte shumë të vështira ne jemi të gatshëm t’i marrim përsipër ato kushte në mënyrë të tillë që shqiptarëve t’i jepet shansi për të qenë anëtar të Bashkimit Europian. Mendoj që kjo është gjëja më e rëndësishme dhe më e domosdoshme për të cilën ka nevojë çdo shqiptar në këtë ditë shumë të bukur me shumë diell faktikisht por që është shumë e zymtë ekonomikisht dhe shpirtërisht për shqiptarët.
Znj. Kryemadhi Z. Basha proteston dhe kërkon dorëzimin dhe largimin e Ministrit Xhafaj, nga detyra ju kërkoni largimin e Ramës, pse nuk bini dakord?
Unë mendoj që është paketë. Mos u shqetësoni, se këtu nuk është çështje emri, është çështje filozofie, është çështja e antivlerës e cila është instaluar në qeverisjen shqiptare që kushtëzon çdo ditë e më shumë integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Gjë për të cilën ne kemi 27 vjet që aspirojmë për të pasur një Shqipëri Europiane.
Ju vetë besoni te implikimi i ministrit Xhafaj?
Faktet janë shumë të qarta megjithatë unë nuk mendoj që kjo është çështja kryesore sepse e kemi thënë gjithmonë është një pikë në oqeanin dhe llumin e zullumit që Edi Rama ka instaluar në Shqipëri. Largimi i Edi Ramës largon çdo problematikë dhe do ti japi shpresë shqiptarëve.
FOTOLAJM/Protestuesit hedhin “drogë” para kryeministrisë
LAJME TË TJERA NGA PROTESTA E PD
- LSI: Mijëra simpatizantë nga rrethet
- Blindohet Tirana
- Braimllari: Rama duhet rrëzuar një orë e më parë
- Rama ia mbath drejt Skraparit
- Protesta e opozitës, ministri Xhafaj shkon në zyrë
- “Na prit Pasha! Po vijmë Pasha!”
- Show i PD, ‘Kryeministri’ intervista për ministrin e ri
- Protesta e opozitës monitorohet nga ekspertë të huaj